Shpenzimet e buxhetit në vitin 2016 | Burimi: ASK

Buxheti në 2016-ën u Shpenzua për Paga e Përfitime Sociale

Shpenzimet për paga dhe kontribute sociale përfshinë më shumë se gjysmën e buxhetit të vitit të kaluar.

Sipas klasifikimi ekonomik shpenzimet u rritën në rend e siguri publike si dhe çështje ekonomike.

Republika e Kosovës shpenzoi 1.76 miliard euro buxhet. Buxheti ishte më i lartë i realizuar në krahasim me vitin 2015, por ky buxhet u shpenzua më së shumti për paga, e kontribute sociale.

Sipas raportit të ASK-së për të hyrat qeveritare tatimi në produkte dha kontributin më të madh për mbushjen e arkës së shtetit.

“Shuma e përgjithshme e të hyrave të qeverisë për vitin 2016 ishte 1,779.3 milion euro. Në krahasim me vitin paraprak kemi një rritje prej 4.3% të të hyrave. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte të cilat paraqesin 69% të totalit të të hyrave, tatimet rrjedhëse në të ardhura, pasuri, etj 13%, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori tjera të hyrave”, njofton ASK-ja.

Shpenzimet e buxhetit të vendit shkuan më së shumti në kompensime për punëtorë dhe kontribute sociale.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kompensimi i punëtorëve 31%, kontributet sociale dhe përfitimet 23%, formimi i kapitalit bruto 22%, konsumi i ndërmjetëm 10%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë tjera të shpenzimeve”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në vitin 2016, shpenzimet për kompensimin e punëtorëve shënuan rritje në 544.8 milionë euro nga 526.3 milionë sa ishin në vitin 2015. Pos kompensimit të punëtorëve, u rritën edhe kontributet sociale dhe përfitimet duke u renditur të dytat me radhë për nga shuma e shpenzuar.

Shpenzimet për kontribute sociale dhe përfitime shënuan rritje (408.4 milionë euro) në krahasim me vitin 2015.

Në anën tjetër subvencionet ranë në krahasim me 2015-ën. Vitin e kaluar për subvencione u shpenzuan 82.1 milionë euro, ndërsa në vitin 2015 kjo shume ishte 86.8 milionë euro.

Sipas klasifikimit, për çështjet ekonomike, mbrojtena sociale, mbrojtjen dhe sigurinë publike vjet u shpenzuan më shumë para.

“Në vitin 2016 shuma e shpenzimeve të përgjithshme të qeverisë ishte 1,764.7 milionë euro. Shpërndarja e shpenzimeve sipas këtij klasifikimi është siç vijon: çështjet ekonomike 22%, arsimi 22%, mbrojtja sociale 16%, shërbimet e përgjithshme 10%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në sektorët e tjerë,” thuhet më tutje në raport.