Objekti i Klinikës së Gjinekologjisë. Foto: KALLXO.com
Burri i Motrës Medicinale Sulmon Rojën e QKUK-së
Në përleshjen e cila ka ndodhur mëngjesin e sotëm i përfshirë është burri i njërës nga motrat meridicinale që punon në Klinikën e Gjinekologjisë.
KALLXO.com ka kontaktuar zëdhënësin e QKUK-së, Shpend Fazliun, i cili bëri konfirmimin e sulmit, por nuk dha detaje.
Ndërsa drejtoresha e Klinikës Mirvete Paçarada ka saktësuar se sulmuesi është burri i njërës prej punonjëseve të klinikës.
“ Ai është burri i njërës prej kolegeve tona. Nuk e di nëse motivi i ardhjes së tij ka qenë për ta sulmuar gruan e vet, apo për diçka tjetër,” tha Paçarada.
Ajo ka shtuar se sulmuesi ka qenë i përgatitur për të kryer një sulm, pasi ka qenë i pajisur me një shufër hekuri.
I kontaktuar me telefon, punonjësi tjetër i sigurimit Izet Shala ka rrëfyer se kolegu i tij është sulmuar pas një debati të shkurtër që e ka pasur me të dyshuarin.
“ Ka dashtë me hy një person brenda dhe sigurimi i ka thënë se nuk është koha e vizitave pasi mjekët janë nëpër dhoma të pacientëve, ai përsëri ka tentuar të hyjë. Pasi që nuk e ka lënë sapo ka kthyer shpinën kolegu im, ai e ka goditur me një shufër metali në kokë,” ka rrëfyer Shala.
KALLXO.com mëson se punonjësi i sigurimit ka marrë trajtim mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa me hetimin e incidentit është duke u marrë Policia e Kosovës.