Foto-ilustrim

Burri e Grushtoi Gruan Pse Djali Luante në Telefon

Gjykata në Ferizaj e ka dënuar me 7 muaj burg me kusht dhe me gjobë në vlerë 300 euro të akuzuarin G.H. për ushtrim të dhunës ndaj bashkëshortes së tij.

I pandehuri akuzohet nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për dy vepra penale: sulm dhe kanosje, pasi sipas aktakuzës i njëjti në fillim të muajit Mars 2017, në shtëpinë e tyre në Ferizaj, i mllefosur për shkak se vëren djalin duke luajtur në telefon, fillimisht e kap për fyti bashkëshorten e tij duke iu drejtuar me fjalët: “Pse djali po luan me telefon?”, pastaj me dashje përdor forcën ashtu që e godet me grushte në fytyrë, duke kryer veprën penale sulmi.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se i pandehuri G.H. më 13 Mars 2017 në Ferizaj, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, seriozisht e kanos të dëmtuarën-bashkëshorten e tij se do ta privojë nga jeta me fjalët “sot do të ndodhë diçka e madhe dhe vdekjen e ke nga unë”, duke kryer kështu veprën tjetër kanosja.

I pandehuri e pranoi fajësinë duke deklaruar se është penduar dhe se një gjë të tillë nuk do ta përsërisë më.

Pas kësaj, Gjykata e shpalli fajtor duke i shqiptuar dënim me burg me kusht prej 7 muaj / 1 vjet dhe dënim me gjobë në shumë 300 euro.