Foto-ilustrim

Burrat Sulmojnë Gratë në Podujevë, Klinë e Gjakovë

Tri raste të sulmeve fizike të burrave ndaj bashkëshorteve janë raportuar në Polici gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas Policisë, rasti i parë është raportuar dje në ora 18:30 në Podujevë.

Sipas raportit policor, është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti kishte sulmuar bashkëshorten e tij.

Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa njësitet policore kanë konfiskuar dy thika dhe një kaçavidë.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër i dhunës në familje është regjistruar mbrëmë në Klinë rreth orës 20:55.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër K/Shqiptare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërsa, rasti i tretë është regjistruar në Gjakovë mbrëmë pak pas mesnatës.

Policia njofton se është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës i ka shkaktuar lëndime.

Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Gjakovë, ndërsa i dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.