Foto: KALLXO.com

Burime nga BE: Shqipëria me Rekomandim, Kosova Duhet të Presë

Deutche Welle në shqip ka raportuar sot në bazë të burimeve lidhur me raportin e BE-se për zgjerim për shtetet e Ballkanit.

Sipas këtij artikulli nuk priten lajmet e mira për Kosovën.

KE do të aprovojë “Paketën e zgjerimit”, raporte për përparimin drejt BE. Shqipëria e Maqedonia pritet të marrin rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, Kosova pret kritika për ngadalësimin e reformave.

Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon.

Sipas informacioneve që ka DW për raportin e këtij viti për paketën e zgjerimit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.

Shqipëria dhe Maqedonia të gatshme për një hap të mëtejshëm drejt BE

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i ka thënë DW se ai beson se të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE-së.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE”.

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në Kosovë gjërat nuk ecin si duhet

Sipas Eduard Kukanit, Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit.

Sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herhershme dhe tensione në të dyja palët.

Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë. Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin.

Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.