I Burgosuri i Dubravës Vdes në Spital të Pejës

74 vjeçari me inicialet H. G i burgosur në Burgun e Dubravës ka vdekur pas një sëmundje të rëndë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj i cili e ka konfirmuar lajmin.

Ai tha se i burgosuri ka qenë i sëmurë dhe në gjendje të rëndë, ndërsa për shkak të keqësimit të shëndetit është bërë kërkesë edhe për lirimin e tij me kusht.

“Nga keqësimi i gjendjes shëndetësorë kemi bërë kërkesë për lirim me kusht pasi që ditëve të fundit i ndjeri ka pasur një gjendje të rëndë shëndetësorë”, tha Zogaj.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) me anë të një njoftimi ka thënë se 74 vjeçari ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.

Sipas KMDLNJ-së, i dënuari kishte pasur ndërprerje të vuajtjes së dënimit pas të cilës është kthyer në Burgun e Dubravës.

“I burgosuri H.G. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë me 29.08.2017. Gjatë qëndrimit në Spital në Pejë pranë tij kanë qenë anëtarët e familjes dhe i është ofruar trajtim shëndetësor mirëpo nuk është evituar vdekja. Gjithashtu , duhet të theksohet se ka qenë në procedurë edhe një ndërprerje e vuajtjes së dënimit por se vdekja e të burgosurit H.G. nuk ka mundur të evitohet”, thuhet në njoftim.

Trupi i pajetë është dërguar për autopsi ndonëse familja ka kërkuar që të mos bëhet autopsia por se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka kërkuar që të respektohet ligji dhe të bëhet autopsia.

Sipas KLMDNJ të dënuarit që janë të sëmurë dhe pa mundësi të shërohen duhet të lirohen me procedurë të përshpejtuar dhe raste të tilla ka ende në Burgun e Dubravës dhe burgjet tjera.

KALLXO.com ka shkruajtur vazhdimisht edhe për kërkesat e familjes së Driton Hajdarit i cili sipas familjarëve të tij ka një sëmundje e cila nuk shërohet.

http://kallxo.com/driton-hajdarit-refuzohet-kerkesa-per-trajtim-mjekesor-jashte-shtetit/