Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Burgim me Kusht për Armëmbajtje pa Leje

Hajriz Krasniqi u dënua nga Gjykata Themelore në Prishtinë me tetë muaj burgim me kusht për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari në seancën e shqyrtimit fillestar, menjëherë pasi që prokurori Ilaz Beqiri i lexoi aktakuzën, deklaroi se e pranon veprën penale për të cilën akuzohet, duke shtuar se armën për të cilën akuzohej e kishte gjetur rastësisht dhe të njëjtën e kishte pasur në plan që ta dorëzonte në polici.

I akuzuari për armëmbajtje pa leje Hajriz Krasniqi, me rastin e pranimit të fajësisë premtoi para prokurorit Ilaz Beqiri dhe kryetares së trupit gjykues Suzana Çerkini se më asnjëherë nuk do të binte ndesh me ligjin.

Menjëherë pas pranimit të fajësisë, kryetarja e trupit gjykues Suzana Çerkini mori dhe shpalli aktgjykimin me të cilin Hajriz Krasniqin e cilësoi fajtor për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe të njëjtin e dënoi me tetë muaj burgim me kusht, e në qoftë se i njëjti nuk dëshiron ta vuajë burgun atëherë ai duhet që në afat prej një viti të mos bie ndesh me ligjin apo të kryejë ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas aktakuzës Hajriz Krasniqi akuzohej se nga data e pa përcaktuar e deri në mars të vitit 2014 në shtëpinë e tij që gjendet në fshatin Dobrajë e Vogël, Komuna e Lipjanit, pa autorizim ka poseduar armën e tipit “M48”, prodhim jugosllav, e cila është sekuestruar nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Me këtë kishte kryer veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve.

Edhe në maj KALLXO.com shkroi për një dënim me gjobë për armëmbajtje pa leje.

http://kallxo.com/800-euro-gjobe-per-armembajtje-pa-leje/

Në prill KALLXO.com shkroi për dënimin për armëmbajtje pa leje të një personi, i cili e kishte njoftuar Policinë se e kishte një armë ilegale që dëshironte ta dorëzonte.

Ky dorëzues vullnetar i armës qe dënuar me pesë muaj burg me kusht.

http://kallxo.com/denohet-dorezuesi-vullnetar-armes/