Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Burg me Kusht për Bartje të Sprejit

Gjykata Themelore në Prishtinë i shqiptoi burgim me kusht prej gjashtë muajsh Shqiponjë Ukës për armëmbajtje pa leje.

Nëse nuk dëshiron të shkojë në vuajtje të dënimit prapa grilave, Uka sipas Gjykatës në Prishtinë nuk duhet të kryejë ndonjë vepër penale për një vit.

Shqiponjë Ukës në nëntor të vitit të kaluar pas ndaljes dhe kontrollit nga pjesëtarët e policisë së Kosovës i ishte gjetur dhe konfiskuar arma “sprej” të cilën e mbante në pronësi, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin, me çka kishte kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Gjatë seancës Shqiponjë Uka iu drejtua kryetarit të trupit gjykues Vesel Ismajli të cilit i kërkoi që të mund të deklarohej edhe një herë rreth fajësisë.

E akuzuara tha se në këtë shqyrtim nuk ka ushtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave mbi bazën e të cilave është ngritur aktakuza, sepse dëshiron ta pranojë në tërësi veprën penale për të cilën akuzohet.

“Pavarësisht kësaj unë jam penduar që e kam mbajtur atë sprej, e kam ditë që nuk bën, por nuk e kam ditur që vjen puna deri këtu”, tha Uka.

Ajo tregoi pse e mbante sprejin.

“Unë e kam ndjerë veten të rrezikuar nga një person, por rastin e kam paraqitur në p-olici për atë arsye e kam bartur sprejin”, deklaroi e akuzuara.

Ndërsa prokurori i këtij rasti Kujtim Munishi tha se mbetet në tërësi pranë aktit akuzues dhe i propozoi gjykatës që të akuzuarën ta shpallë fajtore dhe ta dënojë sipas ligjit.

Prokurori tha se e akuzuara gjatë këtij shqyrtimi nuk i ka paraqitur kundërshtimet e veta me arsyetimin se tash e ka kuptuar që e ka kryer veprën penale me ç’rast edhe e pranoi fajësinë.

Por prokurori shtoi se e akuzuara edhe pas tri tentimeve në Prokurorinë e Shtetit ani pse ishte njoftuar shumë mirë me përfitimet e pranimit të fajësisë, me çdo kusht ka refuzuar këtë pranim.

“Edhe pas leximit të aktit akuzues e njëjta gjatë shqyrtimit të parë fillestar ka hezituar ta pranojë fajësinë, edhe pse shume mirë është njoftuar nga gjyqtari se në shkesat e lëndës ekzistojnë prova që dëshmojnë që e njëjta e ka kryer atë vepër penale”, deklaroi prokurori Kujtim Munishi.

Kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli pastaj të akuzuarën e dënoi me gjashtë muaj burg me kusht.