Gjykata në Ferizaj

Burg dhe Gjobë për 7.5 Kilogramë Heroinë

Personi me inicialet G.R. është dënuar nga Gjykata në Ferizaj me 7 vjet e gjashtë muaj burg dhe 25 mijë euro gjobë për krim të organizuar që lidhet me shitblerje droge.

Gjykata e ka dënuar personin me inicialet G.R. ngase ai ka qenë drejtues i një grupi njerëzish që kanë transportuar dhe ofruar narkotikë për shitje.

“I pandehuri G.R,  është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim burgimi, sepse gjatë vitit 2010 në bashkëpunim me pesë të pandehur të tjerë të gjykuar, duke vepruar si grup kriminal i strukturuar dhe organizuar, me qëllim të përfitimit të dobisë financiare, kanë kryer krim të rëndë – ofrimin për shitje dhe transportim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm,” thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Gjykata në komunikatë tregon se droga ishte planifikuar të blihej në Kosovë e të shitej në Zvicër.

“I pandehuri G.R i ka organizuar të gjitha veprimet e këtij grupi, ashtu që të gjykuarit I.K i ka dhënë veturën e tij që nga shteti i Zvicrës të shkojë në Kosovë me qëllim të blerjes së 7.5 kilogramëve narkotikë të llojit heroinë dhe pastaj të njëjtën ta transportojë në shtetin zviceran,” thuhet në komunikatën e gjykatës.

Sipas komunikatës, vetura me heroinë që po shkonte drejt Zvicrës është ndaluar në Malishevë nga policia.

“Pas blerjes së kësaj substance narkotike i pandehuri I.K i gjykuar, e ka marrë veturën me heroinë dhe është nisur në drejtim të Zvicrës tek i pandehuri G.R, por në Malishevë është ndalur nga policia me ç’rast pas kontrollimit nga ana e tyre është gjetur dhe konfiskuar substanca narkotike e llojit heroinë në sasinë e lartshënuar,” sqaron komunikata e Gjykatës në Ferizaj.

Të dënuarit i është vazhduar paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e vendimit, ndërsa gjykata njofton se palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

Edhe Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 nëntor dënoi tre persona me burg e gjobë e konfiskime të disa mjeteve.

http://kallxo.com/burg-gjobe-dhe-konfiskime-per-56-kilograme-marijuane/

Më 10 nëntor Gjykata Themelore në Pejë dënoi me vetëm gjashtë muaj burg e 400 euro gjobë një personi që kultivonte 250 bimë kanabisi në një laborator modern.

http://kallxo.com/6-muaj-burg-kultivuesit-te-marijuanes/

Aksioni i zbulimit të këtij laboratori u shfaq në Rubrikën “Policia” të Emisionit “Drejtësia në Kosovë” gjatë shtatorit.

http://kallxo.com/aksioni-policise-zbulimi-laboratorit-te-marijuanes/