Gjykata shtetërore boshnjake - Foto: BIRN

Burg Boshnjakut për Krime Kundër Civilëve Serbë

Gjykata shtetërore e shpalli Ekrem Ibraçeviqin fajtor për përgjegjësi për kushte çnjerëzore në një burg në Rapatnica, në zonën Srebrenikut, ku në vitin 1992 u mbajtën civilë serbë.

Gjykata konstatoi se mbajtja e civilëve në një dhomë të vogël pa dritare ishte nën nivelin e trajtimit njerëzor, por edhe pse Ibraçeviq mund të kishte bërë diçka, ai nuk e bëri.

Ibraçeviq u dënua gjithashtu për goditjen e një të ndaluari në Rapatnica gjatë marrjes në pyetje si edhe kërcënimin e një tjetër të burgosuri me vdekje në një burg në Luke.

Kryetari i trupit gjykues tha se dënimi me tre vjet burg ishte me vend, duke marrë në konsideratë nivelin e përgjegjësisë së të pandehurit dhe lëndimeve.

“Përsa i përket rrethanave lehtësuese, kemi marrë në konsideratë jetën e mëparshme të të pandehurit dhe faktin se ai është një njeri familjar. Në disa raste ai kërkoi ndihmë mjekësore për të burgosurit. Pasojat e veprimeve të tij nuk janë aq të rënda dhe me ndikim të gjerë si në rastet e rënda të krimeve të luftës”, tha kryetari i trupit gjykues Shaban Maksumiq.

Ibraçeviq, i cili ishte kreu i sigurisë ushtarake në Selinë Komunale të Mbrojtjes Territoriale në Srebrenik, u lirua nga akuza për ndalim të paligjshëm, torturim dhe trajtim çnjerëzor të të burgosurve.

Të bashkëpandehurit e tij Faruk Smajloviq, një ish-komandant ushtarak i sektorit të trafikut policor i cili kishte detyrë të ruante objektet e paraburgimit, dhe ish-polici ushtarak Sejdalija Çoviq, gjithashtu u liruan nga akuzat për torturë dhe trajtim çnjerëzor.

“Nuk ka dyshim se civilët serbë u ndaluan në mënyrë të paligjshme. Megjithatë, në bazë të provave të paraqitura në gjyq, gjykata nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë pjesëmarrjen e Ibraçeviqit në ndalimin e paligjshëm dhe se të tjerët kryen veprime bazuar në autorizimin ose pëlqimin e Ibraçeviqit dhe me miratimin e Smajloviqit”, tha Maksumiq.

“Për më tepër, gjykata nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë se të pandehurit i ndërmorën personalisht veprimet e përshkruara në aktakuzë”, tha gjyqtari.

Vendimi mund të apelohet.

Gjithashtu të premten, një gjykatë kantonale në Novi Travnik dënoi një ish-polic ushtarak kroat të Bosnjës me 13 vjet burg për krime kundër të burgosurve të luftës në Jajce.

Jozho Lovrenoviç u gjet fajtor për vrasjen e oficerëve policorë Milan Iliçiq dhe Ilija Cigoje si edhe torturimin e 13 të burgosurve.

Edhe ky vendim mund të apelohet.