Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki - Foto: Rtv21

Bunjaki Trajner i Kosovës deri në Fund të Eliminatoreve

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri në një konferencë për gazetarë tregoi se federata do ta ndërpresë bashkëpunimin me Albert Bunjakin në tetor kur të përfundojnë eliminatoret për Botërorin Rusi 2018.

“Si ne edhe seleksionuesi Bunjaki nuk kemi qenë të kënaqur me rezultatet e arritura”, tha Vokrri.

Vokrri tregoi se Bunjaki menjëherë pas humbjes nga Finlanda në “Loro Boriçi” më 5 shtator tha se ka qenë i hapur për të biseduar rreth dorëheqjes, por tregoi se FFK-ja dhe Komiteti Ekzekutiv i saj nuk e ka pranuar gatishmërinë e Bunjakit për bisedime menjëherë pas ndeshjes, ngase ka dashur që situatën ta vlerësojë me kokë të kthjellët më vonë.

Trajneri Bunjaki i pranishëm në konferencë momentin e ndarjes së rrugëve me Kosovën e futbollit e vlerësoi të vështirë.

“Është moment i vështirë. Në futbollin e Kosovës gjindem prej vitit 2002”, tha Bunjaki.

Ai tregoi edhe qëllimet që kishte.

“Qëllimi kryesor ka qenë krijimi i kombëtares. Mendoj që kemi ba një punë të mirë, të paktën jep shpresë për të ardhmen”, tha Bunjaki.

Vokrri më pas u pyet se kush do ta zëvendësojë Bunjakin dhe a do të jetë ai shqiptar apo i huaj.

“Ende nuk e kemi përfundu këtë proces. Të gjitha opsionet do të jenë të hapura. Nuk e kemi definu a do të jetë vendor apo i huaj”, u përgjigj Vokrri, pa dhënë detaje.

Në eliminatoret për Botërorin Rusi 2018 Kosova deri tash e ka vetëm një barazim dhe shtatë humbje, ndërsa ndodhet në vendin e fundit.

KALLXO.com ka shkruar pë ndeshjet e Kosovës. Lajmet e tilla mund t’i lexoni këtu.