Shpejtim Bulliqi - Foto: KALLXO.com

Bulliqi: Më Larguan nga Frika

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Bulliqi thotë se opinionin publik e kishte njoftuar se nuk do të ishte në listën e LDK-së për faktin se, sipas tij, dega e LDK-së të cilës i përket në bashkëveprim me kryesinë e partisë janë përkujdesur për ta larguar nga lista.

I njohur në opinion për kundërshtimin e ashpër të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi tha se motivi i largimit të tij dhe kolegëve të tjerë nga lista është i ulët. “Këtë e bënë si duket nga frika dhe respekti që ne gëzonim përditë e me tepër te elektorati i LDK-së e i cili respekt u forcua për shkak të qëndrimeve tona rreth disa çështjeve që ishin aktuale gjatë mandatit që lamë pas”, ka shkruar ai.

Shpejtim Bulliqi ka shprehur keqardhje për anëtarësinë e LDK-së që është zhgënjyer më këtë “politikë fyese e linçuese” ndaj atyre që përkrahën vendimet e tyre lidhur me mosvotimin e Thaçit për president vendi dhe cenimin e integritetit të shtetit tonë-demarkacionin.

Më tej, Bulliqi thotë se atij nuk i kanë munguar ofertat nga partitë e tjera.

“Dua të ju bëj me dije që gjatë kësaj faze kam pasur oferta nga disa subjekte opozitare për t’u futur në listat e tyre, mirëpo që me gjithë respektin që kam për to i kam refuzuar sepse qëndrimet politike që i kam mbajtur gjatë mandatit i kam bëre sepse kam besuar në to e jo për të rifituar edhe një mandat”, ka shkruar ai.

Përveç tij, nga lista janë larguar edhe disa ish-deputetë të tjerë të LDK-së që kanë qenë disa herë “opozitë” brenda kësaj partie.

Bulliqi i ka bërë apel elektoratit të LDK-së që të votojë ata që e meritojnë dhe jo ata që janë servilë.

Shpejtimi Bulliqi, me profesion profesor i Gjeografisë, ka qenë njëri prej kundërshtuesve më të mëdhenj të Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.

http://kallxo.com/bulliqi-kerkon-te-flitet-hapur-per-demarkacionin/

Ai gjithashtu nuk kishte marrë pjesë as në seancën ku u votua për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit të vendit.