Bulliqi: Komisioni për Matjen e Territorit – Joserioz

Komisioni qeveritar për matjen e territorit ka dalë sot më një raport sipas të cilit territori i Kosovës është 10,905.25 kilometra katrorë.

KALLXO.com qëndroi sot në banesën e njërit prej kundërshtuesve më të mëdhenj të formës së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, me të cilin e përcollëm konferencën e Komisionit qeveritar për matjen e territorit.

Sipas tij, Kosova e ka të vështirë të qëndrojë në këtë shifër prej 10,905.25 kilometrash katrorë pas demarkimit me Shqipërinë e Serbinë.

“Ky është gabim fatal i cili do ta dëmtojë shumë territorin e Kosovës në të ardhmen. A do të jemi në gjendje ne si Kosovë që këtë sipërfaqe ta mbrojmë edhe pas demarkimit që do të bëhet me Serbinë dhe me Shqipërinë”, tha Bulliqi për KALLXO.com

Ai gjithashtu ka kërkuar që shteti i Kosovës ta mbrojë këtë shifër me çfarëdo kushti, qoftë edhe me luftë.

“Duhet me çdo kusht shteti i Kosovës ta mbrojë këtë sipërfaqe që e dhanë ekspertët e tyre sot dhe kjo sipërfaqe a mbrohet me paqe e me luftë, ata duhet t’i japin përgjegjësi qytetarëve të Kosovës, ata duhet nesër t’u japin përgjegjësi institucioneve të Kosovës”, u shpreh ai.

Ndërsa sa u përket deklaratave të Komisionit se janë llogaritur shtyllat elektrike të vendosura nga KOSTT, Bulliqi thotë se është rasti i parë në botë kur shtyllat elektrike përcaktojnë kufirin shtetëror.

“Mund ta merrni me mend se cili është niveli i seriozitetit të atyre njerëzve të cilët kanë punuar në këtë çështje. Mund ta merrni me mend që krejt çështja e definimit të kufirit, përcaktimi dhe matja e kufirit të Kosovës ka mbetur në dorën e një zyrtari të KOSTT-it dhe kjo është serioziteti i punës që e ka bërë ky ekip”, tha Bulliqi për KALLXO.com

Sipas tij, faktet e publikuara nuk ishin harta, por skica të bëra me dorë.

Ai ka ironizuar me deklaratat e profesorit dhe zëdhënësit të Komisionit qeveritarë, Tomor Çela, i cili tha se hartat topografike nuk kanë bazë juridike.

“Kjo çfarë thuhet nga një njeri i cili i thotë vetes ekspert, kjo është absurdi më i madh i kohës. Hartat topografike janë prej hartave ma precize të cilat shfrytëzohen, janë shfrytëzuar dhe do të shfrytëzohen për projekte të ndryshme dhe punë të ndryshme brenda një shteti të caktuar. Si mund të quhen hartat topografike të pabesueshme, ndërsa janë të besueshme skicat që janë punuar nga autorë të ndryshëm me dorë”, tha në mes tjerash Bulliqi për KALLXO.com

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta sjellë sa më parë Marrëveshjen e Demarkacionit në Kuvend, ku sipas tij pastaj është përgjegjësi e deputetëve se çfarë do të bëjnë.

Komisioni për Matjen e Territorit paraqiti sot draft-raportin me të gjithë dokumentacionin që lidhen me madhësinë e territorit të Kosovës.

Sipas kryetarit të Komisionit, akademik Hivzi Islamit, sipas matjes, territori i Kosovës është 10,905.25 kilometra katrorë.

http://kallxo.com/komisioni-cakorri-jashte-republikes/