Ilustrim

Bujqësia e Blegtoria Shënojnë Rritje

Në vitin 2016, prodhimet bimore në Kosovë kanë shënuar rritje për 17.5% krahasuar me vitin 2015.

Kështu tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ASK.

“Rritja mund të shpjegohet me faktin se kultivimi i perimeve dhe bimëve foragjere ka shënuar rritje”, thekson ASK.

Edhe prodhimet blegtorale kanë shënuar rritje për 8.4 për qind në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015.

Rritja, sipas Agjencisë së Statistikave, mund të shpjegohet me rritjen e vlerës së blegtorisë. ”Prandaj, prodhimet bimore dhe blegtorale gjithsej janë rritur me 13.5 për qind në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015”, thuhet në Llogaritë ekonomike për bujqësi për vitin 2016 të ASK-së.

Ndërsa, konsumi i ndërmjetëm ka shënuar rritje për 7.4 për qind në vitin 2016 krahasuar me vitin paraprak.

Publikimi i ASK-së përfshin të dhëna për prodhimet bimore, prodhimet blegtorale dhe shpenzimet në ferma, në terma monetare.

Ndryshimet atmosferike në vend shkaktuan edhe dëme ne bujqësi vitin e kaluar.

Qeveria e Kosovës kishte aprovuar kërkesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) që të paguajë 260 mijë euro kompensime të dëmeve të shkaktuara nga dukuritë natyrore apo 25 për qind të dëmeve të vlerësuara.

http://kallxo.com/260-mije-euro-per-kompensimin-e-demeve-ne-bujqesi/

Këtë vit Banka Botërore (BB) e ndihmon Kosovën me hua në vlerë prej 20.8 milionë euro në rritjen e të hyrave rurale përmes investimeve në sektorin e bujqësisë së vendit veçanërisht në hortikulturë e blegtori.