Bujar Bukoshi me avokatin e tij, Besnik Berisha. Foto: Arkiv

Bujar Bukoshi e Ilir Tolaj Përsëri në Gjykatë

Më shumë se tri vjet pasi ishin gjykuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, Bujar Bukoshi, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Hajrullah Fejza dhe Bekim Fusha u përballën përsëri me akuzat që rëndojnë mbi ta, këtë herë në një gjykatë të shkallës më të lartë, atë të Apelit.

Ndonëse nuk ishte i pranishëm në seancë, në emër të Bujar Bukoshit, avokati i tij, Besnik Berisha iu përgjigj pretendimeve të prokurores Maria Bamieh e cila ishte ankuar për pafajësinë e tij.

“Ishte hera e parë që një ministër po akuzohej sepse dëshironte të zbatonte një vendim gjyqësor. Ishte hera e parë që një ministër u akuzua për shkak se denoncoi një kompani farmaceutike që po dëmtonte buxhetin e Kosovës”, tha Berisha.

Ish-ministri i shëndetësisë, Bujar Bukoshi ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës, për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Berisha më tej tha se ankesa e prokurores duhet të hedhet si e pabazuar dhe e pambështetur.

Ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj akuzohej për 12 pika të akuzës, ndërsa fajtor u gjet vetëm në dy prej tyre, duke u dënuar me 18 muaj burg.

Tolaj kërkoi nga kolegji i Apelit që vendimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe që të ndryshohet vendimi që e ka shpallur atë fajtor për shkak të mungesës së provave.

Njëjtë sikur Tolaj, pafajësinë nga Gjykata e Apelit e kërkuan edhe Naser Peci, avokati i Arbenita Pajazitit.

Një pjesë e gjykimit ndaj Bukoshit e Tolajt në Apel u mbajt në terr pasi në gjykatë u ndërpre energjia elektrike. Foto: Kallxo.com
Një pjesë e gjykimit ndaj Bukoshit e Tolajt në Apel u mbajt në terr pasi në gjykatë u ndërpre energjia elektrike. Foto: Kallxo.com

“Nuk logjikë juridike që në përgjegjësi juridike të ftohet nxitësi i pretenduar ndërsa përpiluesi të jetë dëshmitar. Nuk ka bazë ligjore që nxitësi të shpallet fajtor ndërsa kryesi të jetë dëshmitar”, tha avokati Peci.

Arbenita Pajaziti akuzohej për nxitje në falsifikim të dokumenteve zyrtare, ndërsa nga gjykata e shkallës së parë ishte gjetur fajtore dhe dënuar me 8 muaj burg me kusht.

Edhe avokati i Hajrullah Fejzës që nga Gjykata e Shkallës së parë ishte dënuar me 8 muaj burg me kusht kundërshtoi dënimin e të mbrojturit të tij nga gjykata e shkallës së parë.

“Propozoj që pjesa e aktgjykimit të kundërshtuar për Hajrullah Fejzën lidhur me pikat e akuzës për të cilat është shpallur fajtor të ndryshohet dhe Hajrullah Fejza në mungesë të provave se ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet të lirohet nga akuza apo që çështja të kthehet në rigjykim”, tha Rama.

Gjatë mbajtjes së seancës disa herë është ndalur rryma ndërsa gjykimi ka vazhduar në errësirë.

lir Tolaj, akuzohej nga prokuroria Speciale e Kosovës për 12 pika të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autorizimeve, një pikë për dhënie të ryshfetit, një për shmangie nga tatimi si dhe për pengim i të provuarit.

Tolaj Dënohet Me 18 Muaj Burg (TV)

Tolaj u gjet fajtor vetëm për dy pika të aktakuzës dhe atë për pikën 1.3 që është shpërdorimi i detyrës zyrtare ose autorizimit të cilën gjykata e ndryshoi në nxitje në falsifikim të dokumenteve, për të cilën pikë u shpall fajtore edhe Arbenita Pajaziti.

Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Rajmonda Hyseni që të nënshkruajë dokumentet se kinse ajo ka marrë pjesë në vlerësimin e dy tenderëve emergjentë. Në fakt ajo nuk kishte marrë pjesë fare në këtë vlerësim.

Arbenita Pajaziti për këtë vepër u dënua me 6 muaj burgim me kusht. Ndërsa Ilir Tolaj për të njëjtën vepër u dënua me 10 muaj burg.

Tolaj më tutje u gjet fajtor nga gjykata për shmangien nga tatimi, vepër penale e dënueshme deri në pesë vjet burg. Tolaj për këtë u dënua me një burgim prej 9 muajsh burgim.

Ilir Tolajt gjykata i dha një dënim unik prej 18 muajsh burgim si dhe e dënoi me gjobë prej 1 mijë eurosh. Tolajt iu ndalua ushtrimi i funksionit publik në kohëzgjatje prej 3 vjetësh.

Arbenita Pajaziti është dënuar për pikën 1.6 të aktakuzës me 6 muaj me kusht. Gjykata i shqiptoi asaj dënimin unik prej 8 muajsh me kusht duke mbikëqyrur dënimin për dy vjet. Pajaziti nuk do të mund të ushtrojë funksion publik për 2 vjet.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkonte Pajazitin se ajo i kishte thënë komisionit për pranimin e mallrave që të nënshkruajnë një deklaratë të falsifikuar të pranimit të medikamenteve nga furnizuesit të cilët nuk kanë mundur ta furnizojnë MSh deri pas datës 21 dhjetor.

Hajrullah Fejza nga gjykata u dënua dy herë nga 6 muaj burg për dy vepra të kërkimit të ryshfetit. Ai mori një dënim unik prej 8 muajsh burg si dhe iu ndalua ushtrimi i funksionit publik për 3 vjet. Fejza nga viti 2010 kryente detyrën e shefit të Divizionit për Shërbime Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë.

Fejza akuzohej nga prokuroria se në fillim të vitit 2011 i kishte kërkuar Milaim Avdullahut shumën prej 10 % nëse donte të merrte tenderin. Njëjtë Fejza kishte vepruar edhe me Fadil Lubeniqin.

Milaim Avdullahu dhe Fadil Lubeniqi, njëri pronar i kompanisë farmaceutike “Sante Pharm” dhe tjetri i asaj “Pro Pharm Helvetica” ishin palë të dëmtuara në rastin “Tolaj, Bukoshi dhe të tjerët”.

Ilir Tolajn gjykata e liroi nga arresti shtëpiak. Po ashtu atij dhe Arbenita Pajazitit gjykata ua liroi edhe llogaritë bankare që më parë i kishin të bllokuara.