Shukri Buja në Gjykatë | Foto: KALLLXO.com

Buja: Jam Privuar nga Mundësia për të Qenë Deputet

Ish-deputeti Shukri Buja në seancën e gjykimit ku po akuzohet për shpërdorim detyre kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës me pretendimin se ajo e ka mbërritur efektin.

Buja në gjykatë tha se aktakuza ia ka pamundësuar të jetë deputet në katër vjetët e ardhshëm.

“Kërkoj nga organi i akuzës hedhjen e akuzës, sepse ajo ka arritur efektin e duhur dhe jam privuar nga e drejta për të qenë deputet”, tha Buja.

Në gjykimin e Bujës dhe nëntë personave tjerë sot po zhvillohet seanca e kundërshtimit të aktakuzës.

Në seancën e kaluar më 28 prill Buja u deklarua i pafajshëm.

http://kallxo.com/shukri-buja-deklarohet-pafajshem/

Ai po gjykohet nga prokuroria për keqpërdorim të pozitës zyrtare në lidhje me një memorandum mirëkuptimi të nënshkruar nga Komuna e Lipjanit me kompaninë “NEW Co Feronikel Complex LL. C.”.

Komuna e Lipjanit në kohën kur drejtohej nga Shukri Buja më 21 mars 2008 kishte nënshkruar memorandum me “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” për dhënien me qira kësaj kompanie një ndërtesë të laboratorit në Lipjan.

Sipas aktakuzës, në memorandum ishte përcaktuar që “NEW Co Feronikel Complex LL. C.” të paguajë nga një euro në muaj qira për objektin e laboratorit, ndërsa kompanisë ky laborator i ishte dhënë për 10 vjet.

Me këtë prokuroria pretendon se i është shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Bashkë me Bujën të akuzuar të këtij procesi janë edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Fahri Retkoceri, Hasim Vishesella, Edmond Rexhepi, Driton Avdiu, Burim Kodra, Bajram Rizani dhe Magbule Sadiku.

Përveç Bujës, tre nga të akuzuarit në kohën për të cilën ngarkohen ishin zyrtarë komunalë në Lipjan.