Shkolla e Mesme e Mjekësisë në Mitrovicë | Foto: KALLXO.com

Bufeja në Shkollë e Familjarëve të Zyrtarit të AKR-së

Ish-drejtori i Arsimit në Mitrovicë, Pajazit Hajzeri, rrëfeu se keqpërdorimet në DKA nuk ishin vetëm në punësime.

Në emisionin “Drejtësia në Kosovë“, Hajzeri tregoi se në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda”, bufeja e shkollës pa kurrfarë konkursi i është dhënë në shfrytëzim me një qira mujore prej 150 euro dhe pa kurrfarë shpenzime të tjera Shkodran Berishës, djalit të ish-asamblistit të AKR-së në Mitrovicë, Agim Berisha.

“Ende pa u bërë pranimi teknik i shkollës, drejtori Rama ka arritur dhe ka bërë një marrëveshje me një Shkodran Berishën për shfrytëzimin e bufesë me një qira mujore prej 150 euro… Përveç këtyre 150 eurove ai s’ka asnjë obligim tjetër ndaj shkollës. Të gjitha të tjerat i merr shkolla: ujin, mbeturinat, rrymën, hapësirën. Bile, kur në muajt kur nuk ka mësim, ai nuk paguan qira”, theksoi Hajzeri.

Drejtori i Shkollës së Mjekësisë, Gani Rama, pranon se shkolla kur vendosi për bufenë nuk e pyeti Drejtorinë e Arsimit. Mirëpo thotë se nuk e ka ditur që Shkodrani është djali i aktivistit të AKR-së, parti kjo që drejtori Rama iu ka bashkuar së fundmi.

“Unë nuk e kam njohur. Tek tash e di që prindi i tij ish në AKR. Tash së fundi edhe unë jam pjesë e AKR-së mirëpo nuk jam në struktura të AKR-së”, shtoi Rama.

E Shkodran Berisha tregon se biznesin e hapi një muaj para së të fillonte punën në bufe.

Ai pretendon se nuk i ndihmoi AKR-ja, por nuk jep arsye të saktë se qysh e mori vesh që aty do hapet bufe.

“Unë jam interesuar vetë për këtë bufe, kam ardhur në Drejtori dhe kam pyetur për kushtet çka duhet me ofrua ne dhe e kemi marrë në shfrytëzim bufenë dhe unë nuk e di pse nuk ka pasë tender”, theksoi Berisha.

E kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, thotë së nuk e ka ditur se familja e aktivistit të AKR-së u favorizua nga Shkolla e Mjekësisë. Ai premton se do ta mbyllë bufenë dhe do kërkojë që aty të hapet tender për shfrytëzimin e saj.

“Asnjëherë nuk ka ndodhur me ndihmën time. Unë do kërkoj që të hapet tender dhe është në proces duke shkuar”, tha Bahtiri.

Emisionin Drejtësia në Kosovë mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm: