BSPK reagon për vdekjen e punëtorit në Fushë Kosovë

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur shqetësimin e saj për vdekjen e një punëtori i cili gjatë ditës së enjte kishte rënë nga një ndërtesë në Fushë Kosovë derisa po kryente punimet.

“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës përmes kësaj komunikate shprehë shqetësimin e thellë lidhur me ngjarjen e sotme, me ç ‘rast në Fushë Kosovë humbi jetën një punëtor në vendin e tij të punës”, thuhet në komunikatën e BSPK-së.

Kjo sindikatë ka shprehur indinjatën për mos reagimin e Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë në punë.

http://kallxo.com/nje-person-vdes-ne-fushe-kosove-pasi-bie-nga-ndertesa/

“ Derisa aksidentet në vendet e punës veç po rriten, BSPK-ja shpreh shqetësim të thellë për jo gatishmërinë e Qeverisë për të reflektuar sa i përket mbrojtjes së shëndetit dhe sigurisë në punë”, thuhet në komunikatë.

BSPK-ja përmes kësaj komunikate ka fajësuar kryeministrin Ramush Haradinaj për mos reagim të tij për të krijuar kushte të volitshme për sigurinë e punëtorëve në punë.

“ Edhe përkundër faktit që BSPK-së nga takimet e fundit më Kryeministrin i është  premtuar se do të jetë në dialog të vazhdueshëm dhe se kërkesat e sindikalisteve do të trajtohen me kujdesin maksimal, aktualiteti po tregon se nuk po ndërmerren hapat konkret nga punëdhënësit për të krijuar ambient dhe kushte më të sigurta pune për punëtorët, por edhe nga organet kompetente të vendit që të bëjnë një mbikëqyrje me rigoroze lidhur me sigurinë e punëtorëve në punë”, thuhet në komunikatë të BSPK-së.

Kjo sindikatë ka shprehur keqardhje për ndodhinë e sotme ku në vendin e punës humbi jetën një punëtor dhe njëherit bëri thirrje që organet kompetente  të ndërmarrin hapa konkret që punëtorët sidomos të sektorit privat të kenë mbrojtje dhe siguri më të madhe në punë.