Diskutimet në ditën e romëve | Foto: KALLXO.com

Braathu u Kërkon Falje Romëve në Ditën e Tyre

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Braathu u kërkoi falje pjesëtarëve të këtij komuniteti në lidhje me një shprehje fyese që u përdor nga OSBE-ja në ditën e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë.

“Jam i vetëdijshëm se Misioni i OSBE-së në Kosovë së fundmi e ka përdorur një shprehje të keqe në një letër. Më lejoni të ju them se kjo nuk është bërë me qëllim. Misioni i OSBE-së në Kosovë nuk ka përdorur asi lloj terminologjie në të kaluarën dhe ju premtoj se nuk do të përdoret as në të ardhmen”, tha Braathu, duke kërkuar falje personalisht.

Deputeti Kujtim Paqaku, duke falënderuar ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi për një projekt punësimi të romëve, kërkoi që numri i të punësuarve me këtë projekt të rritet në 500 persona.

Paqaku deklaroi se romët meritojnë më tepër në Kosovë.

“Ky komunitet meriton të ketë pozitë më të favorshme sesa e ka për momentin. Neve asgjë s’na duhet më tepër vetëm të respektohen ligjet Po e ceki një thënie të Nënës Terezë ‘Gjërat e vogla çdo herë bëhen me dashuri të madhe’”, tha Paqaku.

Kryeministri Mustafa ftoi pjesëtarët e këtij komuniteti që të bashkëpunojnë me qeverinë për përmirësim të kushteve të jetës.

“Ne si qeveri do të vazhdojmë të mbështesim komuntietin rom në Kosovë. Jemi koshient se kemi nevojë edhe më shumë të mbështesim nevojat arsimore të këtij komuniteti, nevojat në punësim, ato të kulturës, ato që ndërlidhen me identitetin. Dhe do të mundohemi që bashkërisht të punojmë sepse nuk janë çështje që mund të punohet ndamas”, tha Mustafa.

Ambasadori amerikan Greg Delawie bëri thirrje që të tejkalohen paragjykimet për romët.

“Është thelbësore që të punojmë bashkarisht për të tejkaluar racizmin, përfshirjen në të gjitha stigmat kundër romëve të cilat e paarandalojnë përfshirjen e plotë të romëve në shoqëri.Qeveria e Kosovës tashmë ka udhëhequr shumë përpjekje të dobishme për të përmirësuar përditshmërinë e popullit rom”, tha Delawie.