Shefi i Misionit të OSBE-së Jan Braathu | Foto: KALLXO.com

Braathu: Statistika Shokuese për Papunësinë e Grave në Kosovë

Gratë ndërmarrëse nga Mitrovica e Veriut dhe e Jugut do të kenë mundësinë t’i ekspozojnë produktet e tyre në sheshin “Zahir Pajaziti” për dy ditë me radhë në panairin e organizuar nga OSBE.

Gjatë hapjes së këtij panairi, shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu është shprehur i shqetësuar për nivelin e lartë të papunësisë së grave në Kosovë.

“Papunësia në Kosovë është shumë e lartë, niveli i papunësisë ka pësuar rënie dhe kjo është gjë e mirë, por papunësia e grave në Kosovë është ende shumë e lartë, në fakt pjesëmarrja e grave është më e ulëta në rajon. 82 për qind e grave në Kosovë në moshën e punës nuk janë të punësuara, është një statistikë shokuese, është keq për gratë, është keq për familjet dhe është keq për Kosovën”, u shpreh Braathu.

Ky panair përfaqëson përfundimin e seancave të trajnimit që OSBE ka mbështetur për gratë ndërmarrëse nga Mitrovica dhe Peja në temat që janë të rëndësishme për bizneset e vogla.

Braathu theksoi se fuqizimi i grave në kuptimin e pjesëmarjes së tyre të plotë në jetën ekonomike në të gjithë sektorët është thelbësor për të ndërtuar një ekonomi të fortë dhe që të përmirësohet kualiteti i jetës jo vetëm për gratë, por për familjet dhe të gjithë komunitetin në tërësi.

“Kështu nëse duam që të zhvillojmë një ekonomi të fortë dhe ne të gjithë e dëshirojmë këtë, duhet të inkurajojmë pjesëmarrje të plotë të grave në ekonomi. Nuk ka kuptim që të krijohen pengesa për pjesëmarrjen e 50 për qind të pjesës tjetër të popullsisë në ekonomi”, tha Braathu, shefi i OSBE-së në Kosovë.

Kjo ngjarje është pjesë e projektit Akademia e Dialogut, që është një projekt i përbashkët mes dy misioneve të OSBE-së ku ka pjesëmarrëse nga Sebia dhe nga Kosova.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler gjatë hapjes së panairit tha se pjesëmarrja e gruas në ekonomi është shumë e rëndësishme dhe ka nevojë që të promovohet në Kosovë.

“Dua ta konfirmoj se nuk ka profesion që një grua nuk mund ta bëjë siç mund ta bëjë një burrë, gratë munden dhe arrijnë çdo gjë që ato duan siç munden edhe burrat”, përfundoi Pfandler.

Punëtoria “T’shpisë” nga Mitrovica e udhëhequr nga Drita Kadriu ishte njëra nga bizneset e prezantuara në këtë panair.

Ferdi Kadriu përfaqëues i kësaj punëtorie tha se panaire të tilla u japin atyre hapësirë që t’i promovojnë produktet e tyre ushqimore tradicionale dhe qytetarët ta kenë mundësinë t’i provojnë ato.

“Kemi kryesisht produkte sezonale, ajvari, reçelët e turshitë në pjesën e fundit të verës dhe në fillim të vjeshtës. Angazhojmë edhe disa gra të tjera të cilat na ndihmojë për të bërë përpunimin e pemëve dhe perimeve. Çka është më e rëndësishme është se të gjitha këto janë produkte organike dhe në të njëjtën kohë nuk përdoren preparate të ndryshme, përdoren receta tradicionale e jo industriale dhe janë të punuara me dorë”, shpjegoi Kadriu.

Arbenita Aliu nga bizhuteria “Impression” gjithashtu pjesëmarrëse në këtë panair, tha se pasi ka ndjekur trajnimin e mbështetur nga OSBE-ja ajo e ka hapur biznesin e saj të vogël në të cilin i ndihmon nëna e saj dhe shoqet të cilat i ka marrë si punëtore.

Arbenita tha se pret që në këtë panair të promovohen  produktet e saj.

KALLXO.com shkroi dje edhe për panairin tradicional që u hap po ashtu në Prishtinë.

http://kallxo.com/bashkatdhetaret-mirepriten-punime-e-veshje-tradicionale/