Konferenca kundër korrupsionit | Foto: KALLXO.com

Braathu: Nuk po Zbatohen Ligjet për Luftimin e Korrupsionit

Luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë, mbetet ende sfidë.

Për këtë arsye, misioni i OSBE-së dhe qeveria gjermane kanë lansuar projektin e dytë për fuqizimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Ambasadorja gjermane Angelika Viets, e përmendi korrupsionin e nivelit të lartë si një dukuri me të cilën institucionet kosovare duhet të ballafaqohen për liberalizim të vizave.

“Korrupsioni i nivelit të lartë fatkeqësisht mbetet një nga sfidat madhore për zhvillimin e Kosovës. Krijimi i një historiku pozitiv të trajtimit të korrupsionit te nivelit të lartë mbetet një nga kushtet kryesore për liberalizim të vizave”, tha ajo.

Sipas Viets,  hetuesit dhe prokurorët duhet të mbesin të paanshëm dhe t’i ndjekin të gjitha rastet me dëshmi të forta pavarësisht kush është i akuzuar.

Kjo sipas saj, kërkon bashkëpunim të mirë ndërinstitucional, vullnet politik dhe guxim.

Në dhjetor të vitit 2015, një ndër tetë kriteret e atëhershme për lëvzje pa viza të kosovarëve ishte edhe arritja e rezultateve në luftimin e korrupsionit, të cilin kriter qeveria ka thënë vazhdimisht se e ka plotësuar.

http://kallxo.com/demarkacioni-kusht-per-heqjen-e-vizave/

http://kallxo.com/qeveria-me-raport-per-kriteret-e-liberalizimit/

Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, tha se në Kosovë ligjet për luftimin e kësaj dukurie ekzistojnë, por nuk zbatohen.

“Është me rëndësi që ligjet të zbatohen, ligjet ekzistojnë, realizimi- zbatimi i tyre nuk është në nivelin e duhur. Mund të bëhet shumë më shumë të kemi një zbatim të mirëfilltë të kornizës ligjore që është miratuar nga Kuvendi i Kosovës”, shtoi Braathu.

Sipas Braathu, element kyç për luftimin e korrupsionit është sekuestrimi i pasurive të cilat janë përvetësuar nga veprimtaritë penale.

Ndërkaq, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha, shtoi se “Policia e Kosovës do ta ketë fokus primar pastrimin e vetvetes nga të gjitha elementet korruptive”.

E Sylë Hoxha nga Prokuroria Speciale e Kosovës, tregoi se ka rezultate të prekshme në drejtimin e luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë.

Hoxha përmendi konkretisht disa nga ndjekjet penale kundër korrupsionit.

“Ne si Prokurori Speciale kemi ngritur aktakuza në rastin e Esat Tahirit, Naser Osmanit..,  rastin e kontratave të Xhavit Dakajt, kemi rastin e prokurores Vahide Badivuku, Ilir Tolajt, sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, rastin e Hysni Hoxhës drejtor i OSHP-së, rastin e Kujtim Bucaliut, Enver Hasanit, Blerim Sokolit, rastin e kryetarit të Komunës së Kllokotit, dhe kemi raste edhe të disa kryetarëve të komunave, kemi rastin e disa avokatëve, rastin stentat, etj”, tha ai.

KALLXO.com ka shkruar për disa nga këto gjykime kundër korrupsion.

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-ndaj-naser-osmanit-dhe-te-tjereve/

http://kallxo.com/denohet-kusht-kryetari-kllokotit/

Në këtë takim i ftuar ishte edhe Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, i cili shtoi se në të gjitha sondazhet Kosova ka nivel të lartë të korrupsionit.

Havolli tha se është shënuar progres në luftimin e korrupsionit, por ky progres sipas tij nuk është i mjaftueshëm.

Përkundër përpjekjeve, Havolli tha se prapë nuk janë shumë funksional sa i përket luftimit të korrupsionit. Ndërkaq sipas tij kanë shënuar një progres por që nuk është i mjaftueshëm.