Banka Qendrore e Kosovës

BQK-ja i Propozon Kuvendit Persona Politikë për Guvernator

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ka propozuar për Guvernator të Republikës së Kosovës persona me të kaluar dhe të tashme politike. Në mesin e të propozuarve për Guvernator është edhe Besnik Bislimi, ish deputet i Vetëvendosjes dhe Safet Merovci ish ministër në qeverinë e përkohshme dhe ish këshilltar në qeveri.

Banka Qendrore e Kosovës ia ka dërguar Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës listën me kandidatët Fehmi Mehmeti, Shkëndije Himaj, Besnik Bislimi, Safet Merovci.

Në komisionin vlerësues kanë qenë anëtarët e bordit të BQK-së: Bedri Peci, Behxhet Brajshori dhe Nuhi Ahmeti.

Komisioni thotë se emrat e propozuar janë zgjedhur në mesin e 28 kandidatëve duke u bazuar në disa kritere.

“Paneli për përzgjedhjen e kandidatëve për Guvernator, pas vlerësimit të integritetit, përgatitjes profesionale, shkathtësive teknike, njohurive të sistemit financiar si dhe njohurive për politika mikro dhe makro ekonomike si dhe pas vlerësimit të përformancës së treguar gjatë intervistës, ka bërë dhe ka dërguar listën përfundimtare Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e BQK-së.

Shkendije Himaj ka qenë pjesë e Bankës Qendrore të Kosovës që nga viti 2004, në të cilën ka ushtruar detyra të ndryshme. Ka qenë zyrtare e lartë për mbikëqyrje financiare në BQK, ndërsa ka qenë edhe Këshilltare e Lartë e Bordit Ekzekutiv në BQK. Aktualisht është Koordinatore për Funksione të Përgjithshme në Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Gjithashtu është kryesuese e Bordit Menaxhues në Fondin për Sigurimin e Depozitave të Kosovës si dhe Asistente në Universiteti e Lubjanës, Fakultetit Ekonomik.

Safet Merovci është profesor në Universitetin e Prishtinës. Në të kaluarën ka qenë pjesë e kabinetit të qeverisë së përkohshme të udhëhequr nga Hashim Thaçi. Në periudhën 2002-2004, sipas CV se publikuar në ueb-faqen e fakultetit Ekonomik, ai ka qenë këshilltar i kryeministrit.

Besnik Bislimi ka doktoruar në financat publike në Universitetin e Freibergut  të Gjermanisë. Është ligjërues në Universitetin Amerikan të Kosovës në lëndët financiare. Ai ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Fehmi Mehmeti që ka hyrë në listën e ngushtë, është emëruar nga Bordi i BQK-së për Ushtrues Detyre të Guvernatorit pas dorëheqjes së Bedri Hamzës. Mehmeti nga data 1 shtator 2013 është emëruar në pozitën e zëvendësguvernatorit për Mbikëqyrje Financiare, në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Mehmeti ka qenë pjesë menaxhmentit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës pas marrjes me koncesion nga konzorciumi turko-francez, “Limak & Airport de Lyon MAS”, në periudhën 2011-2013. Gjatë periudhës 2010-2013, ai ka qenë Drejtor Bordi në Ndërmarrjen Publike “Uniteti” me seli në Mitrovicë.

KALLXO.com ka marrë qëndrime nga shefat e grupeve parlamentare për procesin e rekrutimit për Guvernatorin e Republikës së Kosovës.

Glauk Konjufca, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes nuk është përgjigjur në pyetjet e Kallxo.com. Ai është pyetur edhe nëse do ta përkrahin kandidaturën e Bislimit, meqë në të kaluarën kanë qenë kundër politizimit të institucioneve të pavarura.

Kurse, Avdullah Hoti shef i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se Kuvendit duhet t’i dorëzohen propozime kredibile dhe të mjaftueshme për deputetët që të bëjnë zgjedhjen më të mirë.

Në mesin e kandidatëve ka qenë edhe Besnik Krasniqi, ish kandidat i LDK-së për deputet, por i njëjti nuk i është propozuar Kuvendit. Në bordin e BQK-së është edhe Behxhet Brajshori, ish zyrtar i LDK-së.

“Besoj se Z. Behxhet Brajshori nuk merr instruksione nga askush. Jam i bindur se ai vepron sipas ligjit dhe ndërgjegjës së vet, ashtu siç presim të veprojë secili anëtar i Bordit të BQK-së që është i përfshirë në këtë proces”, ka thënë Hoti.

“Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës është personi që mbikëqyrë gjithë sistemin bankar dhe financiar në Kosovë. Prandaj, shpresoj se ata që janë të përfshirë në përzgjedhjen e kandidatëve që do t’i propozohen Kuvendit të Kosovës janë të vetëdijshëm për rëndësinë e detyrës me të cilën janë të ngarkuar”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për Guvernator të BQK-së duhet të jetë transparent.

“E mbështes plotësisht propozimin që shoqëria civile të mbikëqyrë këtë proces. Mendoj se një involvim i tillë i shoqërisë civile do të rriste kredibilitetin e procesit. Do të ndihmonte deputetët që të besojnë në këtë proces dhe të bëjnë zgjedhjen më të mirë”, ka thënë Hoti.

E shefi i grupit Parlamentar të PDK-së, Memi Krasniqi ka thënë se Guvernatori i ri duhet të vazhdojë punën e mirë që është bërë deri më tani në BQK. Bedri Hamza nga pozita e ministrit të financave ishte zgjedh si Guvernator i BQK-së, ndërsa në vitin 2017 e ka lënë postin e Guvernatorit për t’u bërë ministër i financave.

“Unë besoj që BQK-se i duhet një lider me përvojë të dëshmuar në sektorin financiar, një profesionist që do të vazhdonte dhe do të avanconte punën e shkëlqyeshme që është bërë në BQK për vite me radhë. Procesi duhet të jetë i hapur, transparent dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi”, ka thënë Krasniqi për KALLXO.com.

Banka Qendrore e Kosovës fillimisht ka publikuar një listë me 26 kandidatë për Guvernator. Pas thirrjes së 15 kandidatëve për Guvernator, BQK-ja i ka shtuar në mesin e kandidatëve edhe dy kandidatë të ri. Ata kanë aplikuar me postë për këtë pozitë, por nuk janë thirr në intervistë.

“Aplikacionet e dy kandidatëve janë pranuar me vonesë në arkivin e BQK-së edhe pse aplikimi i tyre ka qenë brenda afatit të caktuar në konkurs. Sipas të dhënave nga arkiva e jonë, aplikacionet e këtyre dy kandidatëve gabimisht janë adresuar nga posta në bankën NLB”, ka thënë Kada.

Ndërkohë, KALLXO.com ka pranuar ankesa nga kandidati Ujkan Bajra i cili pretendojnë se i plotësojnë kushtet e kërkuara në konkurs, mirëpo që nuk janë ftuar fare në intervistë. E njëjta ankesë i është dërguar edhe Bankës Qendrore të Kosovës, të cilës i ka kërkuar arsyet e mos-përfshirjes në mesin e kandidatëve që janë intervistuar. Ai pretendon që i plotën të gjitha kriteret e kërkuara në konkurs dhe ligj për postin e Guvernatorit.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, guvernatori si kryeshef ekzekutiv i BQK-së është pjesë e bordit të këtij institucioni dhe kryesues i bordit ekzekutiv.

Neni 38 i këtij Ligji përcakton edhe mënyrën e emërimit të shefit të saj.

Në pikën 1 të këtij neni thuhet guvernatori dhe anëtarët joekzekutivë të bordit të Bankës Qendrore emërohen për një mandat prej pesë (5) vitesh.

Pika dy e këtij neni thotë se kurdo që paraqitet boshllëku i guvernatorit apo i ndonjërit nga anëtarët joekzekutiv të bordit të Bankës Qendrore, do të konstituohet një panel i përbërë nga anëtarët e tjerë të bordit të Bankës Qendrore dhe guvernatori, ku asnjëri prej tyre nuk kërkon riemërim.

Një panel i BQK-së ka kompetenca për shqyrtimin e të gjithë kandidatëve.

“Paneli do t’i përzgjedhë të gjithë aplikantët në bazë të kualifikimeve dhe performancave gjatë intervistimit dhe do të japë shpjegim me shkrim për një përzgjedhje te tillë. Lista me radhitjen e të gjithë aplikantëve që konsiderohen nga paneli se kanë përmbushur kriteret do të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës dhe Qeveri, e cila mund t’i japë një mendim Kuvendit të Republikës së Kosovës, me kusht që ky mendim të dërgohet në Kuvend të Republikës së Kosovës brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve.

Në fund, kompetencat për përzgjedhjen e guvernatorit i takojnë Kuvendit të Kosovës.

“Nga ajo listë, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të përzgjedhë një individ për secilën pozitë në bordin e Bankës Qendrore që duhet të plotësohet. Pasi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ketë bërë përzgjedhjen e fundit do t’ia përcjellë presidentit këto propozime, i cili pastaj do të miratojë dhe do të emërojë një person për të plotësuar pozitën”, thuhet tutje në nenin 38 të Ligjit për BQK-në.

Në nenin 40 janë përshkruar postet të cilat ia pamundësojnë një kadidati të zgjidhet Guvernator.

“Asnjë person nuk do të shërbejë në organet vendimmarrëse të Bankës Qendrore përderisa është anëtar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i Qeverisë, zyrtar i një ministrie të Qeverisë ose i ndonjë entiteti publik tjetër, ose zyrtar a punëtor i një institucioni financiar, i cili vepron me zyrat e tij në Kosovë, ose është pronar i drejtpërdrejtë ose pronar aktual i pesë për qind (5%) të shumës së interesit të ekuitetit në një institucion financiar të tillë”, thuhet në nenin 40 të Ligjit të BQK-së.