KALLXO 360: Bota e Përbashkët Përmes Fotografisë

Ekspozita personale e artistit kroat me prejardhje shqiptare, Luka Mjeda, do të hapet nesër në mbrëmje në galerinë Kombëtare të Kosovës.

Në ekspozitë do të paraqiten 6 cikle me fotografi të artistit si dhe pjesë nga krijimtaria e tij  që ndërlidhen me dizajn grafikë.

Kuratori i ekspozitës Afrim Spahiu, tha se fotografitë e artistit e kanë emocionuar për shkak të diversitetit që përmbajnë.

“Është ndër fotografët që vepron dhe krijon në shumë dimension nuk është i përcaktuar vetëm në një parim të një ndjesie profesionalë të strukturuar si një vizion vetëm i një forme apo të një drejtimi të caktuar të fotografisë“, tha ai.

Spahiu thotë se të gjitha fotografitë ngjallin emocione mirëpo të preferuarat e tij mbetën fotografitë bardh dhe zi.

„Të gjitha fotografitë kanë një ton të mrekullueshme edhe qielli që është mbi Berlin është sa i bukur aq edhe i tmerrshëm sepse ne nuk e njohim atë tonalitet dhe kjo e bënë të madhërishëm dhe i jep një dimension të një forme që ne do të dëshironim ta quanim fotografi tri dimensionale“, tha ai.

Artisti Luka Mjeda në lidhje me fotografitë e tij të cilat janë bërë nëpër qytete të ndryshme tha se ato paraqesin një unitet.

“Krejt qytet janë gati një, të gjitha janë arkitekturë e re dhe kur i shihni fotografitë nuk dini se në cilin qytet jeni dhe ky koncept për mua është se krejt jemi në një, ndoshta dikush e don një qytet ose shtet ma shumë por krejt do të jemi një botë“, tha ai.

Ai tha se fotografitë e tij të preferuar mbesin ato pa ngjyra pasi që edhe ne si njerëz kur i kujtojmë gjërat nuk i kujtojmë me gjithë ato ngjyrat që i kemi përjetuar në fillim.

Fotografitë e artistit nga Kroacia Luka Mjeda të cilat të tërheqin vëmendjen për shkak të thjeshtësisë të cilën e përmbajnë do të qëndrojnë të ekspozuara në Galerinë Kombëtare për një muaj.