Bakir Izetbegoviq. Foto: Anadolu.

Bosnja Shqyrton Mundësinë e Apelit në Çështjen Kundër Serbisë

Bakir Izetbegoviq, anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, tha se në ditët në vazhdim ekspertët do të shqyrtojnë mundësinë si të nisin apelin kundër gjykimit të vitit 2007 në çështjen e Bosnjës dhe Hercegovinës kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Izetbegoviq u tregoi mediave në lidhje me punën për një apel të mundshëm kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në të cilin shteti i Serbisë u lirua nga akuzat për pjesëmarrje në gjenocid.

“Kjo është detyra jonë për të gjitha krimet që ndodhën në Bosnjë në vitet 1990”, tha ai.

“Në dhjetë ditët e ardhshme do të thërras të gjithë ekspertët, komunitetin akademik dhe njerëzit politikisht aktivë që kanë kontaktuar tashme me mua për të diskutuar elementet e rishikimit të padisë”, shtoi ai.

Në vendimin e vitit 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi se masakrimi në vitin 1995 i më shumë se 7,000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë nga Srebrenica nga forcat serbe të Bosnjës ishte gjenocid dhe se Serbia kishte shkelur Konventën e Gjenevës duke mos e penguar atë.

Megjithatë, ajo vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të treguar se forcat serbe të Bosnjës e kryen gjenocidin duke vepruar sipas “drejtimit” ose “kontrollit efikas” të Serbisë.

Afati gjatë të cilit vendimi mund të apelohet skadon këtë muaj.

Shumë zyrtarë serbë të Bosnjës kanë shprehur prej kohësh kundërshtim të vendosur ndaj çdo mase të re ligjore, duke e akuzuar Izetbegoviqin se po luan me politika.

Të mërkurën, kryetari i Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Nedelko Çubriloviq, i vazhdoi kritikat, duke thënë se një apel do të ishte një rrugë drejt zhdukjes së Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet.

Sipas televizionit publik në Republikën Srpska RTRS, Çubriloviq shtoi se çështja do të çonte në përkeqësimin e marrëdhënieve midis Bosnjës dhe Serbisë.

Ministri i Drejtësisë së Republikës Srpska Anton Kapisoviq u raportua gjithashtu të ketë thënë se lëvizja do të thellonte krizën në politikat tashmë të tensionuara boshnjake.

Mladen Ivaniq, anëtari serb i presidencës trepalëshe, nuk pranoi të komentonte të mërkurën në mëngjes sipas agjencisë së lajmeve Srna.

Anëtari kroat i presidencës trepalëshe Dragan Çoviq e ka hedhur gjithashtu poshtë më parë mundësinë e një apeli.

Megjithatë, Izetbegoviq këmbëngul se kjo nuk është një çështje politike, por ligjore.

Besueshmëria e një apeli ka gjasa të varet nga fakti nëse ka në dispozicion ndonjë provë të re.

Gjatë gjyqit fillestar, një provë kyçe – minutat nga takimet e Komandës së Lartë Jugosllave, ku përfshihej edhe presidenti Sllobodan Millosheviq – nuk ishin të disponueshme për përdorim në çështjen e Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Edhe pse dosjet ishin në dorë të gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës për t’u përdorur në gjyqin e Millosheviqit që filloi në vitin 2002 dhe vazhdoi deri në vdekjen e tij, Serbia pretendoi dhe pati sukses kur tha se pjesë të dokumenteve duhet të mbaheshin konfidenciale, duke cituar sigurinë kombëtare.

Nënkryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Awn Shawkat Al-Khasawneh, tha se “është e arsyeshme të presësh që ato dokumente do të kishin hedhur dritë mbi pyetjet kryesore”.

Zyra e Izetbegoviqit nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjes së BIRN për mundësinë e vënies në dispozicion të këtyre minutave në apel.

“Përsa i takon detajeve të fakteve dhe provave në posedim të ekipit ligjor që po përgatit kërkesën aktuale, ato do të dalin në publik me kohë sipas rregullave të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sesa nëpërmjet shtypit”, tha zëdhënësi.