Senad Bratiq nga Komiteti për Mbrojtjen e Refugjatëve

Bosnja Planifikon Shtëpi për të Zhvendosurit nga Lufta

Zyrtarët boshnjakë u takuan për të dytën ditë radhazi të martën në qytetin bregdetar të Neumit për të diskutuar se si do të mundësojnë që 7,200 njerëz që jetojnë në 121 qendra kolektive në të gjithë vendin të marrin shtëpi, më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës.

Senad Bratiq, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Refugjatëve, Njerëzve të Zhvendosur dhe të Rikthyerve të Asamblesë Popullore të Republikës Serbe, i cili organizoi takimin, tha se plani ishte që kjo çështje të zgjidhej brenda tre vjatëve në vazhdim.

Qëllimi është të ndërtohen 2,611 njësi banimi jofitimprurëse në të cilat do të ristrehohen banorët e qendrave kolektive.

Bratiq tha për BIRN se tani kishte një vullnet kolektiv në të gjitha nivelet e qeverisë për ta zgjidhur çështjen.

“Politika ishte shumë e përfshirë në këtë çështje. Tani, për herë të parë, ka një gatishmëri për ta zgjidhur këtë çështje dhe ne kemi vendosur ta lëmë politikën anash këtë herë dhe të bëjmë të mundur që këta njerëz të jetojnë një jetë të mirë”, shpjegoi ai.

“Tani të gjitha nivelet e qeverisë që duan të bashkëpunojnë dhe ta zgjidhin këtë çështje janë mbledhur së bashku, atmosfera është vërtet e mirë dhe ne po shkojmë drejt atij përfundimi”, tha Bratiq.

Banka e Zhvillimit e Këshillit të Europës ka ofruar më shumë se 61 milionë euro kredi për të ndihmuar më në fund mbylljen e qendrave kolektive, shtoi Bratiq.

Megjithatë, ai paralajmëroi se shumë njerëz që jetojnë në qendra kolektive janë të moshuar, të varfër, në gjendje të keqe shëndetësore dhe nevojitet shumë më tepër ndihmë sesa thjesht strehim.

“Ata kanë nevojë për bashkëfinancim të nevojave themelore të jetesës së tyre”, tha ai.

Marina Barreiro, kreu i Misionit të OSBE-së në Seksionin për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë, tha ndërkohë se “është e rëndësishme që përfaqësues të qeverisë nga shteti, entiteti dhe niveli lokal të bien dakord së bashku për aktivitetet që kanë lidhje me mbylljen e qendrave kolektive në Bosnjë dhe Hercegovinë”.

“Ne shpresojmë që përfundimet e dakorduara sot do të miratohen në të gjitha parlamentet përkatëse në mënyrë që personat e rikthyer dhe të zhvendosur të mund të kenë shtëpi, shërbime mjekësore dhe sigurime shëndetësore pa diskriminim”, shtoi Barreiro.