Një varrezë masive në Bosnjë | Foto: BIRN

Bosnja Përshpejton identifikimin e të Zhdukurve

Instituti për Personat e Zhdukur tha për BIRN të hënën se procesi i identifikimit të eshtrave të viktimave nga Srebrenica dhe Zvorniku po përshpejtohet para funeraleve masive të planifikuara për këtë vit, ndërsa një zhvarrim i madh në zonën e Mostarit vazhdon të zhvillohet ende.

Ai tha se 95 ose më shumë viktima të Srebrenicës do të varrosen në memorialin e gjenocidit në Potoçari në përkujtimoren e 11 korrikut këtë vit. Rreth 6,500 viktima të forcave serbe të Bosnjës janë varrosur tashmë atje.

Qendra e identifikimit në Podrinje në Tuzëll është marrë gjithashtu me identifikimin e viktimave të vrara në Zvornik në vitin 1992 dhe 1993 para një funerali të përbashkët në Memici, Kalesija, të mërkurën.

Shtatë viktima të identifikuara dhe 20 të paidentifikuara nga Zvorniku do të varrosen gjithashtu gjatë kësaj ceremonie mortore. Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varret masive në Kazan-Basca, Kamenica, Ramin Grob dhe Kozluk, si edhe nga Fetija dhe Kamenica në zonën e Zvornikut.

Ndërkohë që gërmonin në varret masive në Kazan-Basca, punëtorët nga komuniteti islam gjetën dy qese të zeza që ishin përdorur më parë nga ana e Ushtrisë  Jugosllave në një pjesë të pashënuar të varrezës. Brenda në qeset e zeza kishte eshtra njerëzish.

Instituti për Personat e Zhdukur i ka dërguar një kërkesë Prokurorisë së Bosnjës për të caktuar vazhdimin e zhvarrosjeve atje.

Të mërkurën do të kryhet gjithashtu një zhvarrosje në Cerska, pranë Vlasenicës, ku besohet se janë varrosur eshtrat e një viktime.

Një varr masiv u gjet në Cerska në vitin 2003 dhe u zhvarrosën eshtrat e 131 viktimave boshnjake që u vranë në atë zonë në vitin 1992.

Një tjetër zhvarrim në Radaca në Goranci, në zonën e Mostarit, po vazhdon të kryhet ende pasi filloi një vit më parë. Copëza eshtrash që dyshohen se janë eshtra njerëzish janë zhvarrosur atje.

Zhvarrimi në Radaca është shndërruar në më të gjatin dhe më të kushtueshmin në Bosnjë dhe Hercegovinë për shkak se tashmë po kryhet për herë të katërt.

Zhvarrosja u zhvillua për herë të parë në vitin 2008, kur u gjetën eshtrat e katër viktimave; tre serbëve dhe një kroati.

Ajo u përsërit në vitin 2009 dhe 2012, por nuk u gjet asnjë eshtër.

Në përpjekjen e katërt pa ekipin e zhvarrosjes të gërmonte deri në 57 metra thellësi dhe është planifikuar kërkimi në të gjithë fushën.