Një tabelë paralajmërimi për mina tokësore në Bosnje dhe Hercegovinë. Foto: Adrian Monk/Wikipedia.

Bosnja ‘Nuk Përmbush Objektivin për Çminim’

Bosnja dhe Hercegovina shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit për Minat me një prezantim çminimi jashtë Parlamentit në Sarajevë, por vendi do të dështojë në përmbushjen e objektivit për të qenë një vend pa mina tokësore deri në vitin 2019, paralajmëruan aktivistët.

“Fatkeqësisht, kjo nuk do të ndodhë”, tha për BIRN Gordana Sekariq, menaxhere operacionale në UDAS, një organizatë që përfaqëson të gjymtuarit nga entiteti i Republikës Srpska.

Objektivi u vendos në Strategjinë e Masave ndaj Minave të Bosnjës për 2009-2019, e publikuar nga Këshilli i Ministrave në vitin 2008.

Por Sekariq tha se mund të pritet një vonesë katërvjeçare për shkak të mungesës së fondeve.

Sekariq tha për BIRN se nga 660 milionë markat boshnjake (rreth 338 milionë euro) që ishin planifikuar për çminimin midis viteve 2009 dhe 2016, vetëm rreth gjysma e shumës, rreth 330 milionë marka (169 milionë euro), janë shpenzuar në të vërtetë në trajtimin e problemit.

“Qeveria duhet të bëjë më shumë për të zbatuar detyrimet që dalin nga Strategjia e Masave ndaj Minave të Bosnjës 2009-2019, e cila, fatkeqësisht, nuk po zbatohet si duhet – nën dyshimet për një mungesë fondesh”, tha Sekariq.

Sipas Qendrës për Masat ndaj Minave të Bosnjës, ka ende më shumë se 80,000 mina të mbetura nga lufta e vendit.

Më shumë se 1,000 kilometra katrorë të territorit, të dyshuara si zona të rrezikshme, mbeten të papastruara – 2.2 për qind e vendit në total.

Problemi është i pranishëm në 129 nga 143 komunat e vendit dhe zonat më të rrezikshme janë rreth Dobojit, Teslicit, Maglajt, Usoras, Zavidovicit, Gornji Vakufit, Sanski Mostit, Velika Kladushës, Travnikut dhe Ilijasit.

Që prej vitit 1996, më shumë se 3,000 km katrorë janë pastruar.

Megjithatë, më shumë se 1,750 persona ishin viktima të incidenteve me mina tokësore – përfshirë të paktën 612 viktima – gjatë kësaj periudhe.

Në Ditën e Ndërgjegjësimit për Minat, njerëzit në Sarajevë mundën të shikojnë një prezantim çminimi para ndërtesës së Parlamentit, të organizuar nga Ministria e Çështjeve Civile, Programi i Zhvillimit i Kombeve të Bashkuara dhe një sërë organizatash vendase dhe ndërkombëtare.

Po ashtu, pati një takim midis zyrtarëve të Qeverisë dhe njerëzve jashtë qeverisë që janë të përfshirë me këtë çështje.

Por Sekariq tha se çështja ka nevojë për më shumë vëmendje gjatë të gjithë vitit.

“Fatkeqësisht, ne flasim për problemin e minave tokësore vetëm kur ndodh ndonjë incident dhe më 4 prill”, tha ajo.

“Kjo nuk është e mjaftueshme, sepse ky problem po aq sa ndikon në sigurinë e njerëzve që jetojnë në komunitetet më të prekura, prek gjithashtu edhe zhvillimin, ekonominë dhe turizmin”, shtoi ajo.

Bosnja dhe Hercegovina raportohet të jetë një nga vendet me më shumë mina tokësore të paçminuara në territorin e saj.

Problemi është aq serioz saqë në vitin 2016, një OJQ vendase paralajmëroi lojtarët e Pokemon GO të mos endeshin në zona me mundësi rreziku.

Edhe Kroacia fqinje ka gjithashtu një problem me minat tokësore të ngelura nga konflikti i viteve 1990.

Ka ende rreth 446 km katrorë territor të rrezikshëm në vend, ku ekziston mundësia të ndodhen rreth 43,000 mina tokësore.

Që prej përfundimit të luftës në Kroaci në fund të vitit 1995, 200 persona janë vrarë nga minat tokësore – si civilë ashtu edhe çminues – dhe 385 të plagosur, sipas Qendrës Kroate për Masa Ndaj Minave, institucioni shtetëror përgjegjës për çminimin.

Sipas Marrëveshjes Otava, të nënshkruar nga Kroacia, deri në vitin 2019 vendi do të jetë i pastruar nga minat tokësore.

Sot, edhe në Kosovë u shënua Dita Ndërkombëtare e Çminimit.

http://kallxo.com/fsk-dhe-kfor-shkaterrojne-mjete-te-pashperthyera/