Sarajeva

Bosnja Mendon t’i Ndalojë të Dënuarit për Krime Lufte të Kandidojnë në Zgjedhje

Amendamenti i propozuar nga deputeti Denis Beqiroviq, i cili pritet të vihet në agjendën e parlamentit shtetëror, përcakton se të dënuarit për krime lufte nuk mund të kandidojnë për zgjedhje, të emërohen në ndonjë post zyrtar në administratën shtetërore, kantonale apo komunale, ose të kryejnë ndonjë funksion zyrtar që ka lidhje me zgjedhjet.

Legjislacioni ekzistues zgjedhor i lejon njerëzit që kanë qenë të dënuar të kandidojnë në zgjedhje pas lirimit të tyre.

Në zgjedhjet e fundit, Fikret Abdiq, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte, u zgjodh kryetar i bashkisë së Velika Kladushës.

Munira Subasiq, kryetare e Shoqatës “Nënat e Enklavave të Srebrenicës dhe Zepës”, e mirëpriti propozimin.

“Ne mendojmë se njerëzit e akuzuar ose të dënuar për krime lufte nuk duhet të kandidojnë për zgjedhje, sepse ata nuk janë penduar apo nuk i kanë kërkuar kurrë ndjesë viktimave,” tha Subasiq.

“Kur një i dënuar për krime lufte fiton zgjedhjet, kjo është një padrejtësi absolute ndaj viktimave, njerëzimit dhe drejtësisë,” shtoi ajo.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur nga Rajoni Sarajevë-Romanija, Milan Mandiq, u shpreh se ndalimi duhet të jetë edhe më i ashpër.

“Pavarësisht se në cilën palë luftuan apo sa të gjatë ishin dënimet e tyre me burg, ata duhet të dëbohen nga shoqëria, t’u hiqet e drejta e tyre për të votuar, të privohen nga gjithçka,” tha Mandiq.

Por Nedeljko Mitroviq, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Ushtarëve të Kapur dhe të Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur të entitetit të Republikës Srpska, tha se ishte kundër ndryshimit të propozuar ligjor.

“Do ta mbështesja propozimin nëse procesi i përcaktimit të së vërtetës në lidhje me krimet e luftës do të kishte përfunduar. Disa individë, që s’janë dënuar deri më tani, lëvizin rrotull të lirë, por ne e dimë që ata kanë kryer krime. Ata mund të kandidojnë për zgjedhje, ndërsa dikush që është ndodhur aksidentalisht në vendin dhe kohën e gabuar dhe është dënuar me një vit burg nuk mund të kandidojë,” tha tha Mitroviq.

“Përveç kësaj, do të nënkuptonte se këtyre personave u privohet e drejta e tyre themelore. Ata bënë gabime, u gjykuan dhe janë ndëshkuar tashmë për këtë,” shtoi ai.

Nikola Lovrinoviq, një deputet në parlamentin shtetëror, tha gjithashtu se personat që i kanë përfunduar dënimet e tyre me burg nuk duhet të pengohen të marrin pjesë plotësisht në procesin demokratik.

“Nëse dikush është një qytetar i lirë që ka vuajtur dënimin dhe gëzon të drejtat njeriu, nuk mund të shkelni një nga të drejtat e tij për të vënë drejtësi për disa njerëz të tjerë që tashmë janë privuar nga ato të drejta,” tha Lovrinoviq.

Por Maja Gasal-Vrazalica e Partisë Fronti Demokratik këmbënguli se ishte e papranueshme që të dënuarit për krime lufte të mbanin postë publike.

“Duke lejuar të dënuarit për krime lufte të kryejnë funksione publike, ne i tregojmë brezit të ardhshëm se krimet nuk ishin dhe aq të rënda dhe minimizojnë aktin më të madh dhe më të rëndë që mund të kryejë një qenie njerëzore,” tha Gasal-Vrazalica.