Gjykata shtetërore boshnjake. Foto: sudnih.gov.ba.

Bosnja Dënon Dy Luftëtarë Kroatë për Përdhunime

Gjykata shtetërore në Sarajevë ka dënuar ish-policin ushtarak të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, Mato Baotiç, me dhjetë vjet burg për përdhunimin e tri grave dhe keqtrajtimin e një të ndaluari në zonën Orasjes në vitin 1992.

Baotiç, ish-komandant i Seksionit të Dytë me Policinë Ushtarake të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, u shpall fajtor për përdhunimin e grave dhe keqtrajtimin një të burgosuri që po mbahej në ndërtesën e shkollës në Donja Mahala në komunën e Orasjes.

Gjykata mësoi se Baotiç përdhunoi një nga viktimat e tij me pistoletë dhe e goditi të burgosurin me një zinxhir metalik qeni.

Ai u urdhërua t’u paguajë viktimave të përdhunimeve një total prej 60,000 markash boshnjake (30,670 euro) si kompensim për dhimbjen dhe vuajtjen e tyre.

Vendimi mund të apelohet.

Gjithashtu të premten, gjykata shtetërore dënoi një tjetër ish-luftëtar të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, Marijan Brnjic, me gjashtë vjet burg për përdhunimin e një civileje në zonën e Odzakut në qershor 1992.

Brnjic, një ish-anëtar i Brigadës 102 të Këshillit Kroat të Mbrojtjes, u shpall fajtor për përdhunimin e një gruaje serbe në fshatin Posavska Mahala, pranë Odzakut.

Edhe ky vendim mund të apelohet.