Foto: SIPA

Bosnja Arreston Tetë të Dyshuar për Krime Lufte

Agjencia Shtetërore Boshnjake për Investigim dhe Mbrojtje, SIPA, arrestoi tetë persona të martën në mëngjes në Prijedor nën akuzat për krime lufte.

Të dyshuarit po hetohen për arrestimin e paligjshëm dhe vrasjen e rreth 120 burrave dhe djemve boshnjakë nga fshati Miska Glava në verën e vitit 1992.

Sipas deklaratës për shtyp të zyrës së prokurorit shtetëror të Bosnjës, e cila urdhëroi arrestimet, personat e ndaluar janë Slobodan Taranjaç, Miodrag Glusaç, Ranko Babiq, Marinko Prastalo, Ranko Dosenoviq, Zdravko Paniq, Trivo Vukiq dhe Milan Vukiq.

Dyshohet se në fund të korrikut 1992, si anëtarë të stafit të krizës të serbve të Bosnjës (i cili bëri që boshnjakët të largoheshin nga komunat me shumicë serbe), të Ushtrisë Serbe të Bosnjës dhe policisë, të dyshuarit morën pjesë në ndalimin e paligjshëm të rreth 120 meshkujve në zonën e Miska Glavës, nga të cilët 15 ishin të mitur.

Sipas prokurorit, viktimat u ndaluan në Shtëpinë e Kulturës dhe një stadium aty pranë, ku ata u torturuan dhe abuzuan për tri ditë me radhë.

Gjatë mbajtjes së tyre të burgosur, u vranë dhjetë deri në 15 persona. Të kapurit e tjerë u çuan në qytetin e Ljubijës aty pranë, ku u qëlluan për vrasje.

Dëshmia e pak personave që mbijetuan ishte e rëndësishme në hedhjen dritë të këtij krimi, sipas zyrës së prokurorit.

Pas luftës, viktimat u zhvarrosën nga varre masive në vende të njohura si Redak I dhe Redak II, dhe dhjetë trupa u gjetën në varrin në Hozic Kamen, i cili u zbulua në vitin 2016.