Njerëzit përkujtojnë viktimat e masakrës së shkëmbit Koriçan. Foto: Anadolu Agency

Boshnjakët Vajtojnë Viktimat e Masakrës së Shkëmbit Koriçani

Qindra familjarë, të mbijetuar dhe anëtarë të organizatave të viktimave dhe të kampeve të burgosurve u mblodhën në Koriçan në malin Vllashiç në Bosnjën qendrore, për të përkujtuar të paktën 200 boshnjakë dhe kroatë që u vranë nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1992.

Duke shënuar 25-vjetorin e krimit, pjesëmarrësit hodhën 200 trëndafila nga shkëmbi i Koriçanit, për të shprehur nderimet e tyre për burrat e vrarë atje, të cilët më herët u mbajtën në kampet në qytetin boshnjak veriperëndimor të mbajtur në Prijedor.

Jasmin Meskoviq, kryetari i Aleancës së të Burgosurve të Kampeve të Bosnje-Hercegovinës, i tha BIRN se burrat u qëlluan me kurriz dhe u hodhën poshtë nga shkëmbi për 30 metra.

Megjithëse oficerët e policisë serbe hodhën granata dhe qëlluan drejt shkëmbit, 12 burra i mbijetuan masakrës së tmerrshme “për mrekulli”, tha Meskoviq.

Një nga të mbijetuarit, që dëshmoi përpara Gjykatës së Bosnje-Hercegovinës në 2009, Husein Jakupoviq, përshkroi si u përpoq të shmangte fatin e ekzekutimit.

“Ushtarët na urdhëruan që të dilnim nga autobusët dhe të qëndrojmë në rresht drejt shkëmbit. Më pas, ata na urdhëruan që të gjunjëzohemi buzë greminës. U gjunjëzuam për disa minuta dhe pastaj filluan të qëllonin. Njerëzit u rrëzuan… unë u hodha drejt shkëmbit në atë çast,” tha Jakupoviq në gjykatë.

Njëmbëdhjetë serbë të Bosnjës u shpallën fajtorë për krimin dhe morën në total 200 vjet burg nga ICTY dhe Gjykata e Bosnjës-Hercegovinës.

Meskoviq tha se kjo ishte shumë pak. “Autorët morën 211 vjet burg për vrasjen e 200 civilëve të pafajshëm nga gjykata e Bosnjes… Është e turpshme. A vlen një jetë njeriu vetëm një vit burg [secili]? Dënime të tilla për krime të egra nuk çojnë në pajtim,” tha Meskoviq.

Ai gjithashtu theksoi se vetëm një numër i vogël njerëzish u ndoqën penalisht për një krim në shkallë të gjerë, dhe i vuri gishtin policisë së Prijedorit dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në transportimin e viktimave drejt vdekjes.

Familjet e viktimave ende po kërkojnë 80 për qind të eshtrave të të afërmve të tyre, pasi trupat e të burgosurve të vrarë u transferuan dhe u varrosën në vende të tjera më pas.