Foto: Anadolu

Boshnjakët Nisin Marshimin e Paqes Drejt Srebrenicës

Marshuesit e paqes u nisën të hënën në mëngjes nga kryeqyteti boshnjak për t’iu bashkuar Marshimit të përvitshëm të Paqes në fshatin Potocari, ku janë varrosur viktimat e Srebrenicës, në kohë për funeralin masiv në 22 vjetorin e masakrave më 11 korrik.

Marshimi organizohet çdo vit për të përkujtuar masakrat në të cilat u vranë rreth 8,000 boshnjakë dhe për të varrosur eshtrat e atyre që janë gjetur gjatë vitit të kaluar.

Raportet e mediave lokale thonë se këtë vit do të varrosen rreth 70 viktima.

Marshuesit nga Sarajeva do të mbërrijnë në fshatin verilindor të Nezukut më 7 korrik, prej nga të nesërmen do të fillojë Marshimi tre ditor i Paqes drejt Srebrenicës.

Në udhëtimin e tyre, marshuesit do të kalojnë nëpër një sërë zonash ku boshnjakët u vranë gjatë luftës së viteve 1992-1995 për të bërë nderimet e tyre.

“Shpirti im e dëshiron këtë. Dëshiroj vetëm t’i bëj nderimet e mia viktimave, njerëzve që humbën jetët e tyre në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën. Edhe burri im vdiq dhe më vjen keq për nënat që humbën fëmijët e tyre, sepse jam edhe vetë nënë,” tha për agjencinë e lajmeve Anadolu Ramiza Smajiç, e cila iu bashkua për herë të pestë marshimit nga Sarajeva.

Marshuesit do të flenë në tenda dhe kampe në pronat e vullnetarëve gjatë rrugës për në Nezuk, tha për Anadolu Muhamet Papiç, një nga organizatorët.

“Këtë vit janë regjistruar 68 pjesëmarrës. Më i riu është 17 vjeç dhe më i moshuari është 65. Kemi pjesëmarrës nga Kroacia, Serbia dhe nga e gjithë Bosnja dhe Hercegovina,” tha Papiç.

Më shumë se 5,000 persona pritet të marrin pjesë në Marshimin e përvitshëm të Paqes nga Nezuku më 8 korrik.

Marshimi i parë u organizua në vitin 2005, me rastin e dhjetë vjetorit të masakrave të vitit 1995, për të përkujtuar mijëra njerëzit e vrarë në ecjen e tyre prej 100 kilometrash drejt Nezukut për t’u larguar nga Srebrenica pasi ajo ra në duart e forcave serbe të Bosnjës.

Ecja nga Sarajeva në Nezuk organizohet nga Unioni i Telekomit të Bosnjë dhe Hercegovinës, Organizata e Veteranëve të Bashkuar të Telekomit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Shoqata Dëshmitarët e Kohës Tonë.