Ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch - Foto: KALLXO.com

Bosch: Mos Rrezikoni Duke Migruar në Mënyrë të Parregullt

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka mbajtur në kolegjin AAB, në Prishtinë, një ligjëratë, ku është trajtuar çështja e imigrimit të paligjshëm, rregullat e migrimit të ligjshëm dhe domethënia e lirisë së lëvizjes me viza.

Sipas ish-ambasadorit Bosch, të gjitha vendet e Ballkanit janë në listën e vendeve të sigurta prandaj është rrezik për qytetarët që provojnë të shkojnë në vendet evropiane në mënyrë ilegale.

‘’Migrimi në mënyrë ilegale nuk është mënyra e vetme. Në rast se doni të migroni ndiqni procedura legale, pasi që deri në 5 vjet mund të keni ndalesë të hyrjes në BE nëse migroni në këtë mënyrë të parregullt’’, tha Bosch.

Për migruesit të cilët mendojnë se do të kenë një jetë më të mirë në vendet evropiane, Robert Bosch tha se kjo nuk do të ndodhë.

“Kosova ka një të ardhme. Ju mund të shkoni të punoni por përsëri të ktheheni në Kosovë dhe të kontribuoni në vendin tuaj”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket liberalizimit të vizave, ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Prishtinë tha se ky proces është diçka e mirë, por paralajmëroi se edhe kur të hiqen vizat qytetarët e Kosovës nuk mund të qëndrojnë në vendet evropiane më shumë se 90 ditë, prandaj edhe këtu duhet të ekzistojë shpresa për të gjetur punë

Në këtë ligjëratë u fol edhe për një projekt binjakëzimi, i cili është financuar nga BE, e i cili merret me fuqizimin e institucioneve të Kosovës në menaxhimin efektiv të migrimit.

Me këtë rast u tha se qëllimi i këtij projekti është që të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve Institucionale të Kosovës në fushën e migracionit dhe azilit.

Ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Robert Bosch, është nderuar më herët nga Kolegji AAB me titullin “Doctor Honoris Causa”, për përpjekjet e jashtëzakonshme në promovimin e diplomacisë proaktive dhe kontributin unik për demokracinë në Shqipëri dhe në  Kosovë.

Redaktoi: Naser Sertolli