Borxhi i Ministres së Drejtësisë

Ajo ka një kredi prej 16 mijë e 900 euro, të cilën nuk e ka deklaruar se kur e ka marrë. Përveç kësaj, Hoxha ka deklaruar se ka një borxh ndaj bankës në vlerë prej 5 mijë eurove për shfrytëzim të kredit-kartelës. Për dallim nga viti 2016, Hoxha më nuk është duke ligjëruar në Universitetin Amerikan dhe Kolegjin ESLG.

Hoxha në deklarimin e saj në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar se posedon një pasuri të paluajtshme shuma e të cilës është 400 mijë euro. Ajo e ka deklaruar edhe një veturë vlera e së cilës arrin shumën e 16 mijë e 900 eurove.

Sipas deklarimit, bashkëshorti i Hoxhës është 100% aksionar i biznesit “Abelardo”, po ashtu ka më shumë se gjysmën e aksioneve në kolegjin ESLG.

Hoxha në të kaluarën ka qenë person kontaktues në biznesin “Abelardo” për të cilin kishte pasur një hetim nga Agjencia Kundër Korrupsionit. Hetimi ishte mbyllur pasi Hoxha, me rekomandim të AKK, kishte hequr dorë nga të qenët si person i autorizuar në këtë biznes.

Hoxha ka deklaruar se ka 35 mijë euro para të gatshme. Ajo ka deklaruar se ka vetëm një pagë, atë të ministres prej 1 mijë e 270 euro mujore apo 15 mijë e 240 euro vjetore. Të hyrat e bashkëshortit të saj janë më të larta, apo 18 e 862 euro.

Dhurata Hoxha në deklarimin e bërë në vitin 2016 nuk i kishte specifikuar nëse të hyrat e deklaruara janë vjetore apo mujore. Por, marrë parasysh që pagën prej Kuvendi e ka deklaruar mujore, atëherë i bie që ajo ka pasur të hyra mujore prej 3 mijë e 365 eurove. E që për 12 muaj i bie, të hyra prej 40 mijë euro. Nëse i shtojmë edhe të hyrat e bashkëshortit, atëherë i bie që së bashku në vitin 2016 kanë deklaruar të hyra në vlerë prej 58 mijë eurove.