Presidenti slloven, Borut Pahor, në Kuvend.

Borut Pahor: Çështjet e Kufijve Duhet të Zgjidhen Para Integrimit në BE

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka porositur liderët e vendit që t’i respektojnë marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe vendet e tjera fqinje.

Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kreu i shtetit slloven tha se çështjet e hapura me fqinjët duhet të zgjidhen para se një vend të anëtarësohet në Bashkimin Europian, pjesë e të cilit është edhe Sllovenia.

“Çështjet e hapura, përfshirë edhe ato me kufijtë, duhet të zgjidhen para anëtarësimit në BE. Dua t’ju inkurajoj që të mos hezitoni t’i zgjidhni këto çështje. E di se sa e vështirë është, por nuk kia rrugë tjetër nëse duam të arrijmë paqe dhe stabilitet rajonal”, tha Pahor.

Ai tha se ka ardhur në Kosovë si mik dhe si President i një shteti “që ka marrëdhënie miqësore me shtetin tuaj”.

“Ju lutem pranoni urimet e mia të përzemërta dhe dëshirat e mia për të ardhmen e suksesshme të shtetit tuaj”, tha ai duke shtuar se Sllovenia ka mbëhstetur Kosovën në rrugën e saj drejt konsolidimit të shtetit.

“Sllovenët dhe shqiptarët e Kosovës e kuptuan dhe e mbështetën njëri- tjetrin në përpjekjet tona për ta arritur pavarësinë të dy vendeve tona, Sllovenisë dhe Kosovës. Ne sinqerisht e mbështetëm njëri- tjetrin pasi që nuk e ushtronim të drejtën tonë për vetëvendosje. Themelimi i shteteve tona ishte justifikuar me zotimin se shtetet tona do të jenë demokratike, të qeverisur nga sundimi i ligjit dhe fer ndaj të tjerëve, përfshirë edhe të drejtave ndaj pakicave”, tha Pahor.

“Përderisa sllovenët dhe shqiptarët e Kosovës themeluan shtetet e tyre, ne si shumicë morëm përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Kjo është detyra jonë e madhe”, shtoi ai.

“Kam ardhur në Kosovë si mik i shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës dhe gjithë komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha Pahor.

“Si mik i juaji, po ia jap të drejtën vetës që t’ju ftoj t’i kushtoni rëndësi dialogut dhe zbatimit të marrëveshjes, sepse është shumë e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por edhe për rajonin, që të bindet Bashkimi Europian se vendet e Ballkanit Perëndimor e meritojnë të jenë pjesë e BE-së”, tha ai.