Bordi i AKP-së Bëhet Jofunksional

Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit është bërë jofunksional.

Gjashtë anëtarëve të Bordit të AKP-së u ka skaduar mandati dyvjeçar.

Me vetëm dy anëtarë, bordi i AKP-së nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të marrë vendime.

“Mandati dyvjeçar iu ka skaduar gjashtë anëtarëve të Bordit të Drejtorëve si në vijim: Haxhi Arifi, Hamdi Jaha, Hasime Mazreku Krasniqi, Ranko Djokiç, Ismajl Januzit dhe Skender Komoni. Ndërkaq, sipas Ligjit të AKP-së, Bordi i Drejtorëve përbëhet nga tetë anëtarë”, ka thënë Kaloshi.

Me mandat deri më 16 dhjetor të vitit 2018 janë vetëm kryesuesi i Bordit të Drejtorëve dhe zëvendëskryesuesi.

“Me mandat ligjor aktualisht janë kryesuesi i Bordit të Drejtorëve, Petrit Gashi dhe zëvendës kryesuesi i Bordit, Bajram Zejnullahu. Të njëjtit kanë mandat deri me datë 16 dhjetor 2018”, tregoi Kaloshi.

Sipas Kaloshit, Bordi duhet të ketë së paku 5 anëtar për t’u mbajtur mbledhje dhe për të marrë vendime.

“Bordi duhet të ketë me mandat së paku 5 anëtarë për të mbajtur mbledhje dhe për të marrë vendime. Andaj, tani për tani Bordi nuk ka kuorum për të mbajtur mbledhje dhe për të ushtruar kompetencat ligjore të parapara me Ligjin e AKP-së”, tha Kaloshi.

Qeveria e Kosovës, kishte marrë vendim me 22 janar të këtij viti për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Në mbledhjen e sotme të rregullt të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është shqyrtuar propozim-vendimi për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në përgjigje të kryeministrisë.

Sipas zyrës së kryeministrit pritet që pasi të përfundoj lista, të procesohet në mbledhje të Qeverisë e më pas emrat e kandidatëve të propozuar të dërgohen në Kuvend për votim.

“Posa të përfundojë lista, ajo do të bëhet publike, do të procesohet në mbledhjen e Qeverisë dhe do të dërgohen në Kuvend për votim”, thuhet në përgjigje.

Gazeta Jeta në Kosovë, në janar të vitit 2016, kishte shkruar për emrat të cilët ishin dhe janë pjesë e këtij Bordi.

Qeveria e Kosovës më 30 tetor 2015 kishte propozuar emrat për Bordin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Disa nga anëtarët e këtij Bordi sipas shkrimit në gazetës JnK, ishin persona partiakë, e njëri nga ta pritej që të udhëheqë këtë institucion në pension.

Bordi i AKP-së me Anëtarë të Pensionuar