Bokshi: Hetimet në Rastin e Nizafete Pozhegut në Fazën Fillestare

Lidhur me rastin e Nizafete Pozhegut, e cila ka mbetur e paralizuar dhe pa një veshkë pas operacionit të kryer në një spital privat, avokati Teki Bokshi tregoi për emisionin “Jeta në Kosovë“ se Prokuroria në Gjakovë ka nisur hetimet ndaj mjekëve të përfshirë në këtë rast.

Bokshi është avokat i anesteziologes që ishte pjesë e operimit të Nizafete Pozhegut nga Gjakova në spitalin “MIM”.

“Në bazë të këtij kallëzimi penal Prokuroria në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale të bashkëkryerjes se këta tre mjekë kanë kryer trajtim të pandërgjegjshëm. Në këtë procedurë janë procedu të dyshuarit dhe për aq sa kemi informacion prokurori i çështjes ka caktuar ekspertim mjeko-ligjor në Qendrën Klinike Universitare”, tha avokati.

“Sa kam informacion – ne ende nuk e kemi marrë atë ekspertizë, por nga informatat që i kemi QKUK, përkatësisht ekspertët e kësaj Qendre, kanë gjetë se shërimi është kryer në bazë të protokolleve të parapara mjekësore dhe se në ktëë çështje nuk ka elemente që mund të trajtohet se trajtim është në mënyrë të pandërgjegjshme”, shtoi ai.

Ai tha se mjekët pretendojnë se kanë zbatuar të gjitha procedurat e parapara për shërimin e zonjës Pozhegu.

Po ashtu, avokati Bokshi tha se pasojat e operacionit do të jenë objekt i ekspertizës dhe Prokurorisë prandaj sipas tij duhet të pritet për veprimet e drejtësisë pasi që sipas tij deri më tash gjithë kjo procedurë është në fazën e dyshimit.

Ai tha se Prokuroria do të vlerësojë se a ka argumente për të vazhduar më tutje.

Të enjten, në emisionin “Jeta në Kosovë“ u transmetua hulumtimi, i cili tregonte se Nizafete Pozhegu kishte mbetur e paralizuar dhe pa njërën veshkë pas operacionit në spitalin privat “MIM”, ku ajo, sipas djalit të saj, kishte shkuar në këmbë të veta.