Lumi Vjosa në Shqipëri - Foto: Facebook/LumiVjosa

‘Blue Heart’ hap diskutim për lumenjtë dhe problemin e hidrocentraleve

Shfaqja e filmit “Blue Heart” (“Zemra e Kaltër”), për herë të parë sonte në Kino ABC, e ka çelur diskutimin për problemin e ndërtimit të hidrocentraleve në rajon.

Filmi i realizuar nga organizata Patagonia rrëfen historinë e përballjes së qytetarëve të tre vendeve, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnje e Hercegovinës, për ruajtjen e lumenjve dhe jetës njerëzore e të natyrës që zhvillohet rreth tyre.

Po ashtu, filmi rrëfen për njerëzit nga vende të vogla të cilët i përdorin mjetet ligjore dhe ato të rezistencës paqësore duke synuar ruajtjen e lumenjve nga degradimi i mundshëm nga hidrocentralet.

“Blue Heart dokumenton betejën për lumin më të madh  të lirë në Europë – Vjosa e Shqipërisë – përpjekjet për të shpëtuar rrëqebullin e rrezikuar të Ballkanit në Maqedoni dhe gratë e Krushçicës në Bosnje e Hercegovinë, të cilat mbajnë një protestë 24 orëshe për një muaj, për të mbrojtur burimin e vetëm të ujit të pijshëm të komunitetit”, shkruhet në përshkrimin e filmit.

Pas shfaqjes së premierës së filmit u mbajt edhe diskutimi në lidhje me lumenjtë dhe ndërtimin e hidrocentraleve.

Dajana Berisha, nga Forumi për Iniciativa Qytetare, FIQ, tha se duhet hequr dorë nga termocentralet dhe hidrocentralet. Sipas saj, Kosova duhet të investojë në energji diellore dhe të erës.

“Para se të vija këtu deklaruan ekspertët që rreth 500 MW energji të ripërtërishme solare janë të mundshme të përfitohen në Kosovë përmes investimeve”, tha Berisha.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ERA, Fatos Lajçi ka thënë se sipas hulumtimit fushor të organizatës së tij, në Kosovë janë duke u ndërtuar 11 hidrocentrale, të cilat sipas tij e rrezikojnë ekosistemin.

Ai deklaroi se shumë lumenj po rrezikohen nga ndërtimi i hidrocentraleve, siç është lumi Lloçan në Deçan.

“Kemi edhe argumente që edhe Lumbardhi i grykës së Rugovës po ashtu është në strategjinë (e ujërave) për t’u bërë 20.1 kilometra komplet nëpër tuba. Këto janë projekte reale që presin dritën e gjelbër”, shtoi ai.

Ndërkaq, gazetarja nga Radio Kosova, Behare Bajraktari, theksoi se ndotja e ambientit është vepër që ndëshkohet me Kodin Penal të Kosovës.

Po ashtu, ajo u shpreh se qytetarët duhet të informohen më shumë rreth çështjeve të ambientit.

“Përndryshe edhe legjislacioni mjedisor i Kosovës, i miratuar në vitin 2003, në aspektin përmbajtjesor i përmbush kërkesat e legjislacionit të BE-së, por në të vërtetë njerëzit nuk janë të informuar (në lidhje me ligjet në fuqi)”, u shpreh Bajraktari.

KALLXO.com dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë”  e kanë trajtuar çështjen e ndotjes së lumenjve dhe faljes së hidrocentraleve.

http://kallxo.com/konfirmohet-derdhja-e-lendes-toksike-ne-lumin-sitnica/

http://kallxo.com/3-milion-euro-investim-per-shtratin-e-drinit-dhe-sitnices/