Komisioni Qendror i Zgjedhjeve - Foto: KALLXO.com

Bllokimi i KQZ-së ndihet edhe te Asambletë Komunale

Mosemërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tash e gati dy muaj nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ndikuar edhe në punën e Kuvendeve Komunale.

Një listë prej 10 kërkesave për zëvendësim të asambleistëve në komuna të ndryshme të Kosovës është në pritje të dekretimit të anëtarëve të rinj, pasi atyre që kanë qenë u ka skaduar mandati.

Muajin e kaluar, Presidenti Thaçi bëri një hap duke ri-dekretuar Valdete Dakën në pozitën e kryetares së KQZ-së, por asnjë nga anëtarët që vijnë nga partitë politike nuk janë dekretuar ende.

Nga 23 marsi, Komisioni Qendror i Zgjedhje nuk ka mbajtur asnjë mbledhje për shkak të mos-funksionalizimit të këtij institucioni i cili sot ka të emëruar vetëm kryesuesen dhe jo anëtarët e saj që janë vendimmarrës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KALLXO.com se janë dhjetë kërkesa të Kuvendeve Komunale të Kosovës.

“Deri më tani kemi pranuar 10 kërkesave për zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale nga komuna të ndryshme të Kosovës”, tha Elezi.

Elezi tha se në mbledhjen e radhës së KQZ-së do të shqyrtohen dhe miratohen këto kërkesa.

“Në mbledhjen e radhës do të shqyrtohen dhe miratohen kërkesat që kanë të bëjnë me zëvendësimin e anëtarëve të Kuvendeve Komunale”, tha ai.

Më 27 mars 2018, ka skaduar mandati i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe që nga ajo kohë, Presidenti i Kosovës, ka emëruar vetëm kryesuesen e këtij institucioni, Valdete Daka, emërim ky që ishte bërë me 27 prill.

KALLXO.com aso kohe pati raportuar për përfundimin e mandatit të anëtarëve të KQZ-së. Nga zyra për Informim e Presidencës ishte konfirmuar se do të bëhet fillimisht emërimi i kryesuesit të KQZ-së pastaj të anëtarëve të tij, duke mos dhënë datë se kur do të ndodh ky emërim.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, në pajtim me afatet ligjore, fillimisht do të bëjë emërimin e kryetarit apo kryetares së KQZ–së dhe pastaj do të vazhdojë me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke u bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi. Kurdo që të merren vendime, do të informoheni”, thuhej në përgjigjen e Zyrës për Informim të Presidencës së Kosovës.

http://kallxo.com/kryesuesja-dhe-anetaret-e-kqz-se-ne-diten-e-fundit-te-mandatit/

16 Maj 2018 - 15:16

Qëndresë Mustafa 16/05/2018 - 15:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend