Foto: KALLXO.com

Blerja e Orëve dhe Pushimet në Bregdet- ‘Tradita’ të Sindikatës së Arsimit

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, e ka veçuar si ngjarje dhurimin e orëve të dorës për punëtorët e pensionuar në konferencën e fundvitit.

“Po vazhdojmë me traditën që në mënyrën më modeste, por me tërë zemrën, t’u shprehim respekt punëtorëve të arsimit që pensionohen gjatë këtij viti. Edhe këtë vit kemi mbajtur një manifestim madhështor duke u ndarë të gjithëve nga një orë dore dhe një mirënjohje. Në këto manifestime kanë qenë edhe përfaqësuesit e lartë të shtetit tonë”, tha Jasharaj.

Ai foli edhe për një traditë tjetër- dërgimin për pushime në bregdet.

“Kemi vazhduar edhe këtë vit me traditën e mirë — në dërgimin e anëtarëve tanë për pushime në bregdetin shqiptar, shifër kjo që e ka kaluar numrin 420” shtoi Jasharaj.

Por Jasharaj tha se është i pakënaqur me ngritjen e paralajmëruar të pagave për mësimdhënësit vitin e ardhshëm.

“Problemi që na ka shqetësuar shumë dhe kemi edhe ngritje tensionesh në institucionet arsimore është paralajmërimi për ngritje pagash nga janari i vitit 2018. E dini, është folur për një ngritje tepër të ulët — 4%” tha ai.

Kryetari i SBASHK-ut tha se ka reaguar dhe ua ka bërë me dije Qeverisë së Kosovës se SBASHK-u nuk është i kënaqur nga rritja.

Jasharaj foli edhe për Ligjin për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip në Kosovë për Vitet e 90-ta, për të cilin tha se do të ketë grevë në rast se nuk shkon në Kuvend.

“Unë kam frikë se nëse për cilëndo arsye nuk ndodh ligji për mësuesit e viteve të 90-ta dhe këmbëngultësia eventuale e qeveritarëve që të mos ndryshojnë ngritjen prej 4%, kam frikë se jo vetëm arsimi, por edhe sektorët e tjerë buxhetorë, janari mund të na sjellë trazira e mund të na sjellë edhe greva në nivel vendi”, tha kryetari i SBASHK-ut.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se sa greva janë organizuar nga SBASHK në vitin 2017, Jasharaj tha se nuk është organizuar asnjë grevë.