Bizneset Punojnë në Ditë Feste

Ndonëse zyrtarisht në Kosovë sot është ditë feste, disa biznese të kryeqytetit kanë punuar sikur çdo të hënë tjetër.

Ligji për Festat Zyrtare i Republikës së Kosovës parasheh që kur ndonjëra festë bie në ditë vikendi atëherë do të pushohet në ditën e ardhshme të punës.

Kështu ndodhi edhe me 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, e cila ra të dielën, prandaj u pushua sot.

Megjithatë, dita e sotme nuk ishte ditë pushimi për të gjithë punëtorët. Shumë biznese në kryeqytet kanë hapur dyert që në mëngjes, njësoj si ditëve të tjera të punës.

Në punë kanë dalë edhe punëtorët e kompanisë kontraktuese për ndërtimin e konviktit nr. 8 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë.

Inxhinieri i projektit, Arton Imeri, tha se e kishin të domosdoshme të dalin sot në punë për shkak të afatit kohor për përfundimin e punimeve.

“Ka qenë e domosdoshme për shkak të afatit të kryerjes së punës dhe për shkak që mos me ngecë mbrapa edhe jemi duke vazhduar me e ngritë objektin”, tha ai.

Tezgat e Tregut në “Kodër të Dielliut”, disa metra larg Qendrës Studentore ishin gjithashtu të mbushura me produkte të ndryshme. Shenjë se aty punohej sikur çdo ditë tjetër pune.

Shitësit të cilët gjendeshin aty nuk pranuan që të prononcoheshin para kamerave mirëpo të gjithë thanë se nuk ka pushim për ta sot pasi që me shitjen e produkteve të tyre ata mbajnë familjet.

Përgjatë “Bulevardit të Dëshmorëve” dhe rrugës “Xhorxh Bush” qytetarët kishin mundësi që të blinin gjëra të ndryshme nëpër dyqane, por edhe të frekuentonin kafenetë e ndryshme, të cilat ishin të hapura.

Lokale që punonin kishte edhe në rrugët dhe sheshet e tjera të kryqendrës.

Sheshi “Zahir Pajazit” ishte më i mbushuri nga të gjithë pasi që aty mbahej edhe Panairi i Dasmave, i cili kishte mbledhur biznese nga qytete të ndryshme të Kosovës.

Metush Zymberi, pronari i shtëpisë së modës “Monakond”, kishte ardhur nga Gjilani që të jetë pjesë e këtij panairi. Ai tha se nuk e konsideron këtë ditë pushim pasi që qytetarët kanë nevojë për punë.

“Mendoj se duhet t’i japim rëndësi më tepër punës sesa pushimit sepse mjaft jemi çlodhur dhe mjaft kemi pushuar”, tha ai.

Për shkak të nenit 4 të Ligjit për Festat Zyrtare, vitin e kaluar janë humbur tri ditë punë, ndërsa sivjet do të humben katër.

Në kalendarin e festave zyrtare janë 11 festa gjatë të cilave pushohet.

http://kallxo.com/festat-e-zgjatura-te-punetoreve-ne-vendin-e-papunesise/