Biznes i Parregullt në Kurriz të Trashëgimisë

Në hapësiren prej 90 hektarësh në atë që njihet si pjesa veriperëndimore e bërthamës së vjetër të qytetit të Vushtrrisë që simbolizohet me urën me nëntë harqe, 135 metra e gjatë e 6 e gjerë,  ka zënë vend  një restorant me gjashtë veranda, dhjetëra tavolina dhe hapësirë për lodra për fëmijë.

Aty po bëhet gati edhe një kuzhinë verore e ndërtuar me tulla. Ajo është pjesë e restorantit që mban emrin e njëjtë me monumentin e trashëgimisë kulturore “Ura e Vjetër e Gurit” që është ndërtuar përballë urës së ndërtuar gjatë mesjetës.

Tullat e kuqe të kuzhinës verore mbi 1 metër e gjatë janë pengesa më e re që vizitorëve të monumentit të mbrojtur me ligj u është vënë nga restoranti i cili është ndërtuar aty qysh në fillim të vitit 2010 dhe që plani parashihte të kryheshin vetëm ndërtime me materiale nga druri.

Bedri Istrefi, pronari i restorantit që bën biznes në kurriz të monumentit të vjetër me shekuj, e ka ndërtuar atë me leje të shtetit, ani pse nuk ka respektuar disa rregulla të vëna nga institucionet e qeverisë qendrore dhe komunale, pjesë e së cilës është vëllai i tij.

Sami Istefi mban pozitë të lartë në qeverisjen komunale që nga shkurti i vitit 2011.  Aktualisht mban pozitën e drejtorit të urbanizmit në komunën e Vushtrrisë.

Madje biznesi i “Urës së Vjetër të Gurit” vazhdon të mos paguajë tatim me rregulla të shtetit, përpos një qiraje prej 205 eurosh për shfrytëzimin e hapësirës.

Kësisoj ura nën të cilën mendohet se ka dy shekuj që nuk ecë uji, rrezikon të humbasë edhe hapësirën.


Bedri Istrefi, pronari i lokalit

Kompania dymuajshe merr besimin për operim tek ura mesjetare

Krejt historia që biznesmenit Istrefi iu kishte dhënë mundësia të ndërtonte restorant afër monumentit  që është pjesë e Listës së Përkohshme të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje kishte nisur me 30 nëntor 2009.

Komuna e Vushtrrisë me këtë datë lidhi kontratë me kompaninë “6 vëllezërit Istrefi” për ambientimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e lokacionit ( hapësirës ) te Ura e Gurit në Vushtrri.

Këtë kontratë kompania “ 6 vëllezërit Istrefi” e fitoi vetëm dy muaj pas që u regjistrua në Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit që operon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Bedri Istrefi, pronar  i kësaj  kompanie, nuk përmend datë të saktë të themelimit të saj.

Herë përmend vitin 2007, e herë vitin 2009.

Por në ARBK data e themelimit të kompanisë figuron 30 shtatori i vitit 2009.

Vetëm tri javë më vonë më 23 tetor 2009 do të hapej tenderi nga Komuna e Vushtrrisë për dhënien në shfrytëzim të hapësirës afër Urës së Vjetër të Gurit.

Data e fundit për të aplikuar në këtë tender ishte 16 nëntori i vitit 2009.

Njëra ndër kushtet e Komunës së Vushtrrisë për dhënien e tenderit në mënyrë që të dëshmohet se operatori ekonomik ka të drejtë pjesëmarrjeje në procedurën e prokurimit ishte se operatori ekonomik duhet të dorëzonte dëshmitë e dokumentuara në bazë të të cilave dëshmohej pagesa e energjisë elektrike të shpenzuar deri me datën 31 gusht 2009.

Komuna e Vushtrrisë ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë.

Sipas kësaj date, në atë kohë kompania nuk ishte e regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Bedri Istrefi thotë se nuk i kujtohet se cilat kanë qenë kriteret e tenderit. Ndërkaq zyrtarë komunalë theksojnë se fituesi i tenderit është dhënë në bazë të rregullave.

Por kontrata e lidhur me Komunën e Vushtrrisë i jep  leje kësaj kompanie që të veprojë në hapësirat e Urës së Gurit për 10 vjet, si dhe mundësinë e zgjatjes së kontratës jo më shumë se për 30 muaj.

Ndërsa shuma që Istrefi detyrohet t’ia paguaj Komunës për shfrytëzimin e hapësirës së Urës së Gurit është 205 euro në muaj, e që për 10 vjet i bie të jetë 24,600 euro.

Një shumë e tillë sipas Bedri Istrefit është vlerë e madhe, kur sipas tij në këtë hapësirë ka shpenzuar më shumë se 300 mijë euro vetëm për investime.

“Është shumë e lartë e qirasë në muaj, por s’kemi çka me bë”, thotë ai, por shton se “asnjëherë nuk mungojnë pagesat e qirasë”.

Kurse Komuna e Vushtrrisë thotë se ndonjëherë ka ngecje të pagesës nga muaji në muaj, por që në fund të vitit gjithçka bëhet në bazë të kontratës.

“Mund të ketë edhe vonesa dhe kriza në kohë të caktuara, por në fund të vitit çdo biznes obligohet që t’i paguaj borxhet e mbetura, ndryshe ndëshkohet me kamata të larta”, thotë Bahri Bivolaku, zëdhënës i Komunës së Vushtrrisë.

Komuna ende nuk ka ofruar qasje në faturat e qirasë të kërkuara në bazë të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

Megjithatë investimet e bëra në këtë hapësirë i kishte lavdëruar Bajram Mulaku, kryetar i Vushtrrisë në debatet zgjedhore komunale më 26 nëntor 2013.

“Hapësira përreth Urës së Gurit, të gjithë e dinë se ka qenë një deponi e mbeturinash”, pati deklaruar Mulaku.

“Unë kam qenë i interesuar që ajo hapësirë të gjelbërohet, të rregullohet dhe ajo hapësirë ta merr një pamje siç duhet”, shtoi ai.

Punë jashtë projektit

Institucionet e Trashëgimisë Kulturore në nivel qendror dhe lokal më 2009 i kishin dhënë dritën e gjelbër bërjes biznes në hapësirën e monumentit që vetë e mbrojnë duke i vënë ca kushte të cilat më vonë kompania nuk i ka respektuar.

Projekti i miratuar nga Komuna e Vushtrrisë, Zyrës Civile Ndërkombëtar ICO dhe Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve parashihte ndërtimin e vetëm një objekti në hapësirën e Urës së Gurit.

Një krahasim i këtij plani me atë çfarë kompania e “6 Vëllezërit Istrefi” ka ndërtuar shpërfaqë mospërputhje.

Sipas projektit hapësira e cila jepet në shfrytëzim të kompanisë “6 vëllezërit Istrefi”, ka leje të ndërtojë vetëm një objekt/restorant në të.

Komuna e Vushtrrisë i ka ofruar Gazetës Jeta në Kosovë planin e aprovuar.

Sipas këtij plani, objekti duhet të jetë në largësi të urës dhe afër rrugës kryesore, ndërsa rreth tij do të jenë të mbjella pemë, por që nuk do të pengojnë lëvizjen e qytetarëve dhe hyrjen në hapësirën e Urës së Gurit. (shih planin si foto)

E gjithë hapësira sipas planit është e dedikuar për qytetarët dhe në të janë parashikuar rrugica të cilat mundësojnë që qytetarët të ecin lirshëm. Po ashtu plani parasheh vendosjen e disa ulëseve për myshterinj jashtë hapësirës së restorantit.

Por katër vjet e gjysmë më pas, në qershor të vitit 2014, pamja aktuale nuk i ngjason asaj që shihet në projekt.

Pronari i restorantit ka vendosur rrethoja duke e shndërruar hapësirën e Urës së Gurit në oborr të restorantit.

Thotë që ka arsye se pse e ka bërë këtë dhe se për këtë ka leje nga autoritetet si Komuna e Vushtrrisë, Ministria e Kulturës dhe ICO-ja.

Gazeta Jeta në Kosovë ende është duke pritur Istrefin për ofrimin e dokumentit që e dëshmon këtë.

“Kjo është bërë për të mirën e fëmijëve në mënyrë që të mos kenë qasje në rrugën kryesore. Po ashtu  shumë vizitorë që vinin në kohë të ndryshme e rrezikonin Urën e Gurit duke ndikuar në papastërtinë e saj ”, tha Istrefi.

Ai tha se po ashtu ka leje për të ndërtuar kuzhinën me tulla që është material jodrusor.

Sipas vendimit të komunës së lëshuar më 30 korrik 2009 objekti duhet të jetë “konstruksion me montazh të lehtë nga druri”.

Ndërkaq Bahri Bivolaku, zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë,  i tha Gazetës Jeta në Kosovë se autoritetet lokale po e mbikëqyrin kontraktorin dhe se gjithçka po shkon në bazë të rregullave.

Alban Bakija, drejtor i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore thotë se nuk ka informacione rreth punimeve.

“Ne si institut asnjëherë nuk jemi informuar lidhur me ndryshimin e planeve tek Ura e Vjetër e Gurit”, i tha Bakija Gazetës Jeta në Kosovë.

Praktika e dhënies në shfrytëzim të zonave të trashëgimisë ose të vet objekteve është e njohur në rajon aq sa edhe rastet ku investimet private kanë rrezikuar vlerën e objekteve të trashëgimisë kulturore.

Në Kosovë Ura e Vjetër e Gurit është një ndër rastet e rralla ku shteti ia ka besuar kompanive private shfrtyëzimin e objekteve të trashëgimisë kulturore për qëllime biznesi.

Por vllëzërit Istrefi vazhdojnë të mos shpërfillin  këtë duke shkelur edhe rregullat e funksionimit si biznes në raport me tatimet.

Restoranti lëshon kupon jofiskal

Përveç ndryshimeve në planin urbanistik në këtë biznes ka edhe probleme tjera.

Kur ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë vizitoi lokalin më datën 10 qershor të këtij viti një kamerier i këtij restoranti lëshoi një kupon jofiskal.

Pronari i lokalit Bedri Istrefi tha se ka marrëveshje me ATK-në për lëshimin e kuponëve jofiskalë.

Ai premtoi se do t’ia ofrojë këtë marrëveshje Gazetës Jeta në Kosovës. Por ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Megjithatë, Administrata Tatimore e Kosovës thotë se nuk ekziston një kupon i tillë dhe se ky veprim është i paligjshëm.

“Nuk ka asnjë marrëveshje, as me z. Istrefi, e as me ndonjë biznes tjetër për lëshimin e një kuponi të tillë”, tha Valentina Bytyqi-Sefa nga ATK-ja.

Sipas saj tash është e ndaluar edhe që të mbahen brenda biznesit kuponët e tillë, ose siç kanë qenë më herët blloka të shënimeve me nënshkrim të biznesit.

“Një kupon i tillë është mashtrim ndaj klientit dhe qytetarëve”, shtoi Bytyqi-Sefa.

Gjobat ndaj bizneseve për moslëshim të kuponit fiskal janë të parapara sipas Ligjit nr;03/L-222, ku gjoba përcaktohet sipas qarkullimit vjetor, duke  filluar nga 125 euro deri në 1000 euro.

“Administrata Tatimore e Kosovës i bënë thirrje të gjithë qytetarëve që ti lajmojnë rastet kur hasen në kuponë jo-fiskal”, tha Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së.

Sipas saj ATK-ja është e përkushtuar ta luftojë evazionin fiskal dhe se do të aplikojë ndëshkime për bizneset. Gjobat sipas saj sillen nga 125 euro e deri në 1 mijë euro. Por ATK ende nuk ka marrë ndonjë veprim ndaj biznesit në fjalë. Sipas saj, kjo do të bëhet në fund të muajit.

Por “Ura e Vjetër e Gurit” kurrë nuk është ndëshkuar. E vllëzërit Istrefi presin më shumë vizitor kur të filloj punën kuzhina verore e restorantit e vendosur ballë për ballë me Urën e Gurit, mbi kurrizin e së cilës presin rritje të të hyrash.