Qendra e qytetit të Deçanit | Foto: KALLXO.com

Bisedimet Vonojnë Ridizajnimin e Rrugës Kryesore të Deçanit

Nga bisedimet me bizneset dhe qytetarët që jetojnë në të dy anët e rrugës kryesore të Deçanit do t’i jepet forma përfundimtare projektit ridazajnimit të kësaj rruge.

Projekti do vonohet për disa muaj dhe pritet të ketë ndryshime në  hartimin e tij për shkak të kërkesave të banorëve të kësaj komune, tregoi për KALLXO.com kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj .

“Momentalisht jemi në negociata me qytetarët dhe jemi afruar bukur shumë me banorët dhe pronarët e bizneseve që janë në breg rruge. Ata (banorët) kanë disa kërkesa dhe kur ta kemi marrëveshjen përfundimtare do ta kemi edhe ndryshimin në projekt,” tha Selmanaj.

Selmanaj bëri të ditur se për rrugën kryesore të Deçanit, deri tash zyrtarët komunalë janë takuar tri herë me pronarë të bizneseve dhe qytetarë që jetojnë pranë saj.

Ai tregoi se çfarë ndryshime pritet të pësojë projekti i rrugës kryesore të Deçanit.

“Janë edhe disa detaje që kanë mbetur për t’u diskutuar.  Ne kemi menduar katër korsi, pa parking. Kurse tani do jenë dy korsi me parking të organizuar, dy trotuare dhe ndriçim i rrugës nga të dy anët e rrugës dhe një stazë gjelbëruese. Mbetet të diskutohet deri në fund për të gjitha detajet”, tha Selmanaj.

Kryetari i Deçanit tha se punimet në rrugën kryesore pritet të nisin në verë, ndërsa sipas tij deri atëherë do bëhen ndryshimet në projekt dhe do hapen ofertat për operatorët.

Banorët dhe pronarët e bizneseve në rrugën kryesore të Deçanit nuk ishin të gatshëm të flisnin për KALLXO.com derisa të arrihet marrëveshja për këtë rrugë me komunën.