BIRN vs KPK, Nesër Seanca e Parë e Gjyqit

Seanca e parë e procesit gjyqësor të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për konflikt administrativ do të mbahet nesër në Gjykatën Themelore të Prishtinës prej orës 9:30.

Seanca dëgjimore e 20 majit, e cila do të mbahet në orën 10 në Departamentin për Konflikte Administrative, e ka zanafillën në nëntor të vitit 2012, kohë kur është iniciuar padia e BIRN, për shkak se KPK refuzoi vazhdimisht të krijonte qasje në dokumente publike rreth sanksioneve të marra ndaj prokurorëve nga vetë ky institucion.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e mbajtur pak ditë më parë mori vendim që këtë institucion në padinë e ngritur nga BIRN-i ta përfaqësojë Haxhi Dërguti. Haxhi Dërguti është ushtrues detyre i kryeprokurorit në Prokurorinë e Apelit.

Padia e iniciuar në nëntor të vitit 2012 ishte bërë në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët” dhe e argumenton të drejtën e BIRN-it për qasje në dokumentet e kërkuara sipas legjislacionit kosovar, mospërfilljen konsistonte të KPK-së ndaj obligimeve që parasheh Ligji për Qasje në Dokumente Publike, duke konstatuar se Kushtetuta dhe ligjet përkatëse kërkojnë që organet e caktuara t’i bëjnë publike dokumentet e kërkuara.

BIRN, më 2 tetor 2012 kishte paraqitur kërkesë për qasje në dokumente publike në Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke kërkuar që t’i mundësohet qasja në vendimet e formës së prerë me të cilat janë shqiptuar sanksionet disiplinore ndaj prokurorëve si pasojë e sjelljes së pahijshme.

Pas kërkesave dhe refuzimeve të vazhdueshme në lidhje me çështjen në fjalë, përfundimisht më 15 nëntor 2012, KPK mori mundimin t’i dërgojë BIRN-it një vendim me të cilin refuzohej kërkesa për qasje në të gjitha dokumentet të cilat kanë të bëjnë me vendimet mbi masat disiplinore të shqiptuara për prokurorë.

Kushtetuta e Kosovës njeh dhe garanton të drejtën e qytetarëve për qasje në dokumente publike ndërsa legjislacioni u siguron atyre një të drejtë të gjerë të qasjes në këto dokumente.