Kopertina e librit elektronik për gjyqin e Ratko Mladiqit.

BIRN publikon Librin Elektronik për Gjyqin e Ratko Mlladiqit

Para dhënies së vendimit të gjyqit për krime lufte për ish-komandantin serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, javën që vjen, BIRN ka përpiluar të gjitha raportet e tij në lidhje me rastin dhe i ka përmbledhur në një libër elektronik që mund të shkarkohet falas.

BIRN të martën publikoi një libër elektronik të titulluar “Ratko Mlladiq: Nga fushëbeteja në sallën e gjyqit”, para dhënies së vendimit gjyqësor për ish-komandantin serb të Bosnjës më 22 nëntor.

Libri elektronik, i cili mund të shkarkohet pa pagesë, përmban të gjitha raportet e BIRN në lidhje me çështjen që nga momenti kur Mlladiq u transferua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për të dalë në gjyq e deri te kërkesat e fundit të ekipit të tij të mbrojtjes që marrja e vendimit të shtyhet për shkak të gjendjes së tij të keqe shëndetësore.

“Gazetarët tanë kanë ndjekur çdo seancë në gjyqin e tij gjatë gjashtë viteve të fundit. Ne kemi raportuar gjithashtu rregullisht edhe zhvillimet jashtë sallës së gjyqit që kanë lidhje me këtë çështje,” tha Marija Ristiq, drejtoreshë e programit TË Drejtësisë Tranzicionale të BIRN.

“Para marrjes së vendimit javën që vjen, ne besojmë se ky do të jetë një burim shumë i çmuar për ata që janë të interesuar t’i gjejnë në një vend të gjitha faktet nga ky proces shumë i rëndësishëm,” shtoi ajo.

Libri elektronik përmban më shumë se 500 artikuj dhe është më shumë se 600 faqe i gjatë.

“Kjo tregon kompleksitetin e kësaj çështjeje,” shtoi Ristiq.

Gjyqi i Mlladiqit, i cili filloi në vitin 2011, zgjati 530 ditë dhe dëgjoi prova nga 591 dëshmitarë, nga të cilët 377 u paraqitën në gjyq.

Mlladiq akuzohet për gjenocidin e më shumë se 7,000 djemve dhe burrave boshnjakë nga Srebrenica në vitin 1995, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, gjë që arriti në shkallë gjenocidi në disa komuna të tjera në vitin 1992, terrorizim të popullsisë së Sarajevës së rrethuar dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Sipas aktakuzës, ai përdori forcën ushtarake për të vënë në zbatim një sipërmarrje të përbashkët kriminale, të drejtuar nga lidershipi politik serb i Bosnjës dhe ish-presidenti Radovan Karaxhiq, që synonte krijimin e një shteti të madh Serb.

Mlladiq, tani 74 vjeç, ka mohuar kryerjen e gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.