BIRN dhe I/KS me Rekomandime për Fuqizimin e të Drejtave të Grave në Pronë

BIRN dhe I/KS kanë analizuar tri projektligjet që  prekin të drejtat e grave në pronë dhe si rrjedhojë kanë dorëzuar në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës rekomandimet përkatëse në këto tri projektligje.

Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e procedurës jokontestimore dhe ai për trashëgiminë në Kosovë si dhe Projektligji për Noterinë janë tri projektligjet në të cilat BIRN për herë të dytë brenda këtij viti dha rekomandime konkrete me të cilat synon të përmirësojë pozitën e gruas në procedurat trashëgimore.

Deponimi i këtyre rekomandimeve në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës përkon me aktivitetet në kuadër të “16 Ditëve të  Aktivizimit Kundër Dhunës Ndaj Gruas”.

Me anë të  këtyre projektligjeve në Kuvend synohet që të përmirësohet pozita e gruas në shoqërinë kosovare me fokus të veçantë të drejtën e gruas në pronë.

BIRN në vazhdimësi ka paraqitur nevojën për ndryshim dhe harmonizim të legjislacionit aktual që ndikon të drejtën e grave në pronë, e në veçanti në trashëgimi.

Rekomandimet e BIRN për projektligjet për trashëgiminë dhe procedurën jokontestimore synojnë që të përmirësohet roli i gruas në procedurën e shqyrtimit të trashëgimisë.

Në këtë drejtim, BIRN propozon që e drejta e përfaqësimit në rastet kur bashkëshorti vdes, para trashëgimlënësit t’i njihet edhe gruas krahas fëmijëve.

Ndryshim tjetër i propozuar nga BIRN në Ligjin aktual të Trashëgimisë e që duhet të përfshihet në projektligjin e ri është edhe neni 114 pika c, e cila përcakton kushtet për përjashtimin e trashëgimtarëve.

Sipas rekomandimeve të BIRN-it, ky nen duhet të precizohet në atë mënyrë që të mos lejojë dykuptimshmëri e cila do të mund të përdorej në dëm të grave.

Gjithashtu, me qëllim të evitimit të një dukurie që ngjet shpesh në rastet e trashëgimisë, ajo kur trashëgimtaret gra heqin dorë nga trashëgimi i pronës, BIRN ka propozuar që kjo të mund të bëhet vetëm në prezencën e dy dëshmitarëve, të cilët nuk kanë asnjë interes juridik për pasurinë trashëgimore.

Gjithashtu, në këtë drejtim, BIRN ka propozuar që deklaratat e heqjes dorë nga trashëgimia të evidentohen përpos në procesverbal edhe me audio dhe video-incizim.

Lidhur me projektligjin për procedurën kontestimore, BIRN është i bindur se seanca informuese e paraparë me këtë projektligj është një ndryshim pozitiv, por assesi nuk pajtohet me dispozitën që trashëgimtarëve u mundësohet heqja dorë nga seanca informuese.

Në korrik të vitit të kaluar, BIRN publikoi raportin e titulluar “E drejta e Grave për Trashëgim në Pronë”, i cili raport vuri në dukje nevojën për përmirësim të infrastrukturës ligjore që rregullon të drejtat në pronë.

Sipas të gjeturave të këtij raporti, vetëm 16 % e pronave të regjistruara në Kosovë janë në emër të grave.

Sipas një studimi tjetër nga USAID, vetëm 3.8 për qind e grave në Kosovë trashëgojnë pronë nga prindërit.

BIRN rekomandime lidhur me këto tri projektligje kishte dërguar edhe në janar të këtij viti dhe pjesa ma e madhe e rekomandimeve kishin gjetur mbështetjen e anëtarëve të Komisionit për Legjislacion dhe shoqërisë civile, por shpërbërja e Kuvendit të Kosovës stagnoi punën lidhur me këto projektligje.

KALLXO.com na vazhdimësi ka pasur në fokus të drejtat e grave në pronë duke raportuar për këtë nga procese gjyqësore, duke ndjekur e kontribuuar në ndryshimet legjislative që synojnë përmirësime të të drejtave pronësore të grave.

BIRN lidhur me këto projektligje ka dërguar rekomandimet në Komisionin për Legjislacion dhe është i gatshëm të jenë pjesë aktive e grupeve punuese.

Raportet e KALLXO.com lidhur me të drejtën e grave në pronë mund t’i gjeni në këtë link.