Stacioni i Autobusëve - Foto: KALLXO.com

Bileta Digjitale- Qytetarët nuk e Dinë ku Shkojnë Centët e Tyre

Shumë nga udhëtarët në Stacionin e Autobusëve të Prishtinës presin këto mjete udhëtimi jashtë platformës ku parkohen autobusët për të mos paguar 10 centë për biletën digjitale që i lejon të hyjnë në këtë platformë.

Pjesa ku parkohen autobusët është rrethuar për të pamundësuar udhëtarët që të hyjnë në autobusë pa paguar biletën prej 10 centësh, ndërsa për të hyrë në stacion me vetura duhet paguar një euro.

Munir Vuçitërna, njëri nga personat që udhëton përditë nga stacioni i autobusëve pagesën prej 10 centësh e vlerëson të pakuptimtë.

“Kjo nuk është aq e shtrenjtë por shumica nuk e paguajnë,por presin jashtë. Nuk është në rregull të bëhet kjo pagesë, sepse nuk ka asnjë domethënie për me pagu”,tha Vuçitërna.

Adil Morina, një udhëtar tjetër thotë për KALLXO.com se nuk ka informata se ku shkojnë paratë e biletës digjitale.

“Jo nuk kemi kurrfarë informate. Nuk është shtrenjtë, por se besoj që ia vlen me u bo kjo”, tha Morina.

Por, Ylber Çitaku, drejtor në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë thotë se pagesa të tilla bëhen në të gjitha vendet e botës dhe regjionit, por ato përfshihen në biletë.

“Shitja e biletës digjitale sjell rregull për qytetarin dhe operatorët transportues, por edhe për inspektoratin komunal, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Administratën Tatimore të Kosovës”, thotë Çitaku.

Erald Buci, menaxheri i kompanisë “Arbeni Tours” i linjës Tiranë- Prishtinë thotë se në Tiranë udhëtarët nuk paguajnë asnjë cent përveç biletës.

“Në Tiranë ne paguajmë vetëm parkingun që hyjmë në stacion dhe pasagjeri nuk paguan asnjë detyrim, ndërsa nga Prishtina në Tiranë, udhëtari paguan 50 centë për hyrje në autobus dhe 10.50 centë biletën dhe prapë 50 centë që ia merr stacioni për me hyp në autobus”, tha Buci.