Termocentralet e Kosovës | Foto: KALLXO.com

Bie Konsumi i Energjisë

Nga të dhënat e energjisë të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për periudhën janar-prill 2016 sasia e energjisë elektrike në dispozicion të konsumatorëve ishte 1,018 GWh.

Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar sasia e energjisë elektrike të konsumuar ishte 1,071.3 GWh, pra konsumi i energjisë është për 1.8 për qind.

Kosova ka importuar më pak dhe eksportuar më shumë energji në tre muajt e parë të sivjetmë në raport me tre muajt e parë të vitit të kaluar.

Kosova në këtë tremujor ka importuar 171.4 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 154.3 GWh. Sasia e energjisë elektrike e importuar për të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishte 293.9 GWh, kurse sasia e eksportuar ka qenë 5.7 GWh.

Edhe termocentralet e hidrocentralet kanë prodhuar më shumë sivjet

Për tremujorin e parë të këtij viti sasia e bruto e energjisë elektrike e prodhuar në termocentrale ishte 1,615.1 GWh. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 prodhimi i energjisë ishte në vlerat 1,484.3 GWh. Në hidrocentrale u prodhuan 45.5 GWh, ndërsa vitin e kaluar prodhimi ishte 36.5 GWh.

Sasia e thëngjillit të prodhuar në këtë vit për tremujorin e parë ishte 2,092.9 mijë tonë, ndërsa një vit më parë në të njëjtën periudhë ka qenë 1,981.4 mijë tonë.

Amvisëria vazhdon ta mbizotërojë strukturën e shpërndarjes së energjisë elektrike të konsumatorëve finalë me 57.3 për qind.