Biden: Djali im Ishte Dashuruar në Kosovën

Biden tregoi që djali i tij i ndjerë, një jurist i njohur që punoi në Kosovë, ishte dashuruar me të.

“Beau ishte dashuruar me këtë vend të mrekullueshëm dhe ai në shtëpi thoshte se sa mrekullueshëm ishte këtu,” tha Biden.

Më pas Joe Biden tregoi edhe për punën e djallit të tij në Kosovë.

“Beau ishte vullnetar dhe ai donte që krimet e luftës të ndiqen në bazë të dëshmive dhe jo emocioneve dhe ai këtë e bënte duke ndihmuar gjyqtarët dhe prokurorët,” tha Biden.

Ai bëri të ditur se në Kosovë u ndje edhe më shumë krenar për djalin e tij.

“Gjithmonë kam qenë krenar me të, por asnjëherë më shumë se kur isha këtu me të në Kosovë,” tha Biden.

Joe Biden tha se djali i tij besonte se kosovarët do t’ia dalin ta ndërtojnë një shtet demokratik, ndërsa falënderoi për nderin që tha se po i bëhet.

Sipas njeriut numër 2 në Amerikë, kjo ngjarje për familjen e tij ishte “çast edhe i ëmbël, edhe i hidhur”, pasi kjo familje ndihej e “prekur dhe e lumtur”.

Edhe gjatë këtij fjalimi, sikurse në hollin e Kuvendit Biden la porositë e tij.

“Demokracia e vërtetë kërkon punë të vazhdueshme dhe të gjithë e kemi obligim që të angazhohemi dhe që çdo sekondë të ketë rëndësi që ta bëjmë tokën një vend më të mirë për të jetuar,” porositi Biden.

Edhe këtë radhë, sikurse në fjalimin e paradites, Joe Biden përmendi Majlinda Kelmendin.

“Kosova ka shkuar shumë larg dhe fitorja e fundit ne Rio ishte dëshmi për këtë dhe ajo është një heroinë e këtij vendi dhe të gjithë duhet të jenë krenar me punën e saj. Kur të jeni ju të suksesshëm i gjithë rajoni do të ketë përfitim prej kësaj,” tha Biden.

Në ceremoni foli edhe Presidenti Hashim Thaçi.

Ai e konsideroi Beau Bidenin si njeri që me punën e tij u angazhua për barazi mes njerëzve në Kosovë.

“Beau Biden ishte ndër amerikanët e parë që kanë shërbyer në Kosovë, ka ndihmuar që të ndërtohen kapacitetet e ligjit për të krijuar një shoqëri të barabartë. Zëvendëspresidenti Biden shquhet nëpër botë pikërisht për përhapjen e këtyre vlerave,” tha Thaçi.

thaci

Thaçi komentoi edhe zhvillimet politike dhe vizitat që ua bëri tash së fundi dy memorialëve të serbëve të vrarë.

“Nëse  përkrahim një serb që ka humbur fëmijën e tij kjo nuk na bën më të dobët, por na forcon dhe na bën më të mëdhenj. Nëse forcojmë marrëdhëniet me Malin e Zi do të jemi fitues, sikurse do të jemi fitues të përbashkët nëse normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë,” tha Thaçi.

Ndërsa Isa Mustafa gjatë fjalës së tij tha se Beau Biden “meriton të shihet si engjëll mbrojtës i Kosovës”.

Mustafa deklaroi se Kosova duhet të bëhet e denjë për ta merituar partneritetin me ShBA-në.

“ShBA kanë shpëtuar Kosovën dhe falënderimi ynë më i madh ndaj jush është që ta bëjmë Kosovën vend të denjë për të qenë partner i juaj,” tha Mustafa.

Mustafa e ftoi Bidenin që ta vizitojë edhe në të ardhmen Kosovën.

“Sipas traditës së kosovarëve shtëpia është e mikut dhe ju jeni miku ynë edhe nuk keni nevojë për ftesë për të ardhur në Kosovë,” tha Mustafa.

Përveç Biden-it, Mustafës e Thaçit, foli edhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Kjo komunë e ka shpallur Beau Biden-in qytetar nderi pas vdekjes.

Haziri tha se Beau Biden la shumë vlera në Gjilan.

“Pata rastin ta njoh personalisht Beau Biden-in dhe ai ka lënë vlera që qytetarët e Gjilanit i njohin. Beau Biden la shumë vlera në Kosovë dhe kryesoret ishin solidariteti dhe humanizmi i tij. Ai ishte një njeri i cili na kurajoi neve si të posadalë nga lufta që të luftojmë për paqe, si luftën më të vështirë për t’u fituar,” tha Haziri.

bondsteel 1