Dita e Dytë e Biden-it

Megjithatë, në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Thaçi, Biden përmendi detyrat që duhet të kryejë Kosova.

“Sot me Kryeministrin e Presidentin folëm për hapat që duhet t’i marrë Kosova. Kjo kërkon shumë angazhim duke përfshirë edhe demarkacionin dhe Asociacionin e Komunave Serbe, punë qe duhet ta kryeni… Ne besojmë në Kosovën. ShBA ka ndihmuar me miliarda në shumë fusha për Kosovën, e do të vazhdojmë të ju përkrahim,” tha Biden.

Biden foli edhe për luftim të korrupsionit dhe sundim të ligjit.

“Është thelbësore që qeveria ta luftojë pandëshkueshmërinë. Korrupsioni është kancer, nëse nuk e trajtoni këtë nuk do të ketë mundësi që Kosova të ec përpara. Sundimi i ligjit duhet të zbatohet njëjtë për të gjithë,” porositi Biden.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Zëvendëspresidenti amerikan foli edhe kundër përdorimit të dhunës. “Përdorimi i dhunës e kërcënimeve nuk është i tolerueshëm në asnjë shoqëri moderne e demokratike,” deklaroi ai.

Biden përmendi edhe pajtimin në Kosovë, duke falënderuar Thaçin që kohëve të fundit vizitoi memorialët e të vrarëve serbë.

“E di që lëndimet e luftës janë të freskëta. Kam qenë në spitale e strehimore, kam parë vuajtjet, por e vetmja mënyrë që Kosova të ec përpara është që të avancojë pajtimin,” tha Biden.

Ai deklaroi se Amerika e di që Kosova po e lufton bashkimin e kosovarëve në luftëra të huaja.

“Ju përgëzojmë për punën në parandalimin e shkuarjes së luftëtarëve në Siri e Irak. Përderisa ju ecni drejt BE-së, ne do të jemi krah jush e avokojmë për ju. Kur të arrini plotësisht objektivat tuaja, çdo vend në rajon do të jetë edhe më i mirë,” tha Biden.

Biden u emocionua kur foli për djalin e tij të ndjerë Beau Biden, njërin nga amerikanët që punoi në Kosovë.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

E konsideroi atë më të mirë se veten, ndërsa tregoi se Beau Biden e donte shumë Kosovën.

Ai e donte këtë vend, i donte këta njerëz.. Janë më fat ata prindër kur fëmijët e tyre bëhen më të mirë se ata dhe unë jam me fat.

Rrugës Ferizaj-Gjilan sot do t’i vihet emri Beau Biden.

“Për shkak të bujarisë suaj, me familjen time do të jem në përurimin e rrugës me emrin e djalit tim Bo. Shumë e çmojmë një gjë të tillë. Kjo vizitë ka domethënie të veçantë për familjen time, mua, gruan time, gruan e djalit tim, e fëmijët,” tha Biden.

11:55

Nisi konferenca e përbashkët e zëvendëspresidentit amerikan Biden dhe Presidentit Hashim Thaçi.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Në fillim të saj Thaçi e falënderoi Biden-in që i qëndroi pranë Kosovës në ditë të vështira, por edhe tash.

“Në atë periudhë kritike ShBA dhe konkretisht Biden u bë zëri ynë, shpresa jonë,” tha Thaçi.

Presidenti kujtoi njëzet vjetët e fundit në Kosovë, duke e siguruar Bidenin që Kosova e sotme është ndryshe.

Ai aktualisht po e përmend edhe dialogun Kosovë-Serbi, ndërsa po zotohet para Bidenit se demarkacioni me Malin e Zi do të kalojë.

Thaçi bëri të ditur se pa themelimin e asociacionit dhe demarkacionit Kosova do të lihet anash nga bota.

“Dua të jem i hapur para qytetarëve, pa kalimin e demarkacionit dhe formimin e asociacionit, Kosova do të mbetet e izoluar nga bota, e lënë anash nga ShBA e Brukseli,” tha Thaçi.

Thaçi deklaroi se Amerika do ta ketë mbështetjen e Kosovës në luftën kundër terrorizmit. Kur Thaçi përmendi Majlinda Kelmendin si shembull të suksesit të të rinjve kosovarë, Biden i aplaudoi këtij suksesi.

Ai mbrëmë ia dha Majlinda Kelmendit stemën shtetërore amerikane të zëvendëspresidentit.

10:41

Është përgatitur salla në hollin e Kuvendit të Kosovës ku Biden do t’u adresohet gazetarëve pas takimeve me krerët e shtetit.

Në sallën e dekoruar me flamuj amerikanë dhe dy foltore, tashmë kanë arritur gazetarët.

Para se t’u drejtohet medieve, Biden u takua me Kryeministrin Mustafa, ndërsa aktualisht po takohet me Presidentin Thaçi.

Foto: Atdhe Mulla
Foto: Atdhe Mulla

Sipas gazetares së KALLXO.com, takimi Biden-Mustafa zgjati 45 minuta.

mustafa-biden

Në oborr të Kuvendit Biden-in po e pret eskorta.

xhipat

09:41

Joe Biden arrin në Kuvend.

Ai në hyrje të ndërtesës së legjislativit u prit nga Kryeministri Mustafa dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

Biden Mustafa_001

Takimin e parë Biden do ta ketë me Mustafën dhe zëvendëskryeministrat Branimir Stojanoviq e Hajredin Kuçi, ndërsa në këtë takim pritet të jetë i pranishëm edhe ministri i jashtëm Enver Hoxhaj.

Më pas Biden do të takohet me Presidentin Thaçi, ndërsa pas këtyre takimeve me krerët shtetërorë, zëvendëspresidenti amerikan do t’u drejtohet medieve në një konferencë.

Konferenca pritet të nisë në orën 11:00.

Vizita e Bidenit po shoqërohet nën masa të rrepta sigurie. Gazetarët dhe kameramanët që do të ndjekin konferencën i janë nënshtruar kontrollit të detajuar të pajisjeve dhe kontrollit personal.

siguria siguria1

Biden arriti mbrëmë në Kosovë, ndërsa në Aeroportin e Prishtinës u prit nga Presidenti Thaçi, por edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi.

http://kallxo.com/biden-si-ne-shtepi/